Connect with us

Kronike

Akuzohet se dhunoi njerkën, Apeli lë në arrest shtëpie djalin e Nehat Kullës

Gjykata e Apelit ka nxjerrë nga qelia dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për djalin e Nehat Kullës, Robert Kullën. Ai akuzohet se ka dhunuar njerkën e tij, e cila ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtje. Më herët, Kulla ka thënë se nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Shkak për konfliktin mes tyre dyshohet se ka qenë pronësia për vilën e të ndjerit Nehat Kulla, që ndodhet në zonën e Tufinës në Tiranë. Nehat Kulla ka qenë kreu i një bande kriminale më 1997, ku ai arriti që të krijojë një komisariat më vete të policisë, me aktivitet në zonën e Tufinës dhe Kinostudios. Nehat Kulla vdiq në moshën 67-vjeçare në qershor 2020, si pasojë e sëmundjeve. Ai ishte i dënuar për vrasjen e Petrit Moriçenit dhe vëllezërve Neziri. Një nga viktimat e tij ishte polic në Komisariatin numër 4.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË APELIT:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më posht

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi kallëzimin e shtetases me iniciale L. K, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale Robert Kulla, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë  ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim, shtetasin me iniciale Robert Kulla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024, ka vendosur:

–          Vlerësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit R. K.

–          Caktimin si masë së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. K atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

–          Urdhërohet policia gjyqësore që ta çojë menjëherë në një institur paraburgimi personin nën hetim R. K.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale R. K, i cili kërkoi prishjen e vendimit, lirimin e menjëhershëm pasi nuk e ka kryer veprën penale. Në alternativë caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 14.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fuat Vjerdha vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me këto ndryshime:- Caktimin ndaj të dyshuarit R. K të masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke e urdhëruar të dyshuarin R. K të mos largohet nga banesa e tij…

– Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dyshuarit R. K nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Advertisement