Rajon
Alarmohet policia/ Turistja lë fëmijën vetëm në hotel, shkon tek mjeku
Një fëmijë 4-vjeçar është gjetur i vetëm nga oficerët e policisë në Maleme, i cili është një fshat i vogël në Kretën veriperëndimore, Greqi.
Një çift turistësh nga Danimarka panë djalin që ishte vetëm për një kohë të gjatë, dhe menjëherë njoftuan policinë. Vogëlushi, i cili mbante në duar një celular është dërguar në rajonin e policisë, ndërsa nisën menjëherë kërkimet për prindërit e tij, raporton “Protothema”.
Kur arritën të gjenin nënën e tij, ajo tha se i duhej të shkonte tek mjeku, ndaj e kishte lënë fëmijën vetëm. Siç pretendon nëna 33-vjeçare nga Rumania, asaj i është dashur të shkojë te mjeku dhe për këtë arsye ka lënë fëmijën e saj 4-vjeçar pa mbikëqyrje.
Nëna ka deklaruar se kishte shkuar në Greqi për turizëm, dhe se për shkak se i është dashur të vizitojë urgjentisht një mjek, e ka lënë fëmijën vetëm në hotelin ku po qëndrojnë. Por fëmija është gjetur duke u endur vetëm në plazh.
33-vjeçarja është arrestuar dhe ndaj saj është ngritur procedim për ekspozim të fëmijës, duke i vënë jetën në rrezik. Ndërsa mësohet se babai i fëmijës nuk ndodhet në Greqi, fëmija i është dorëzuar nënës së tij.