Connect with us

Shkrime

Alfred Lela: Vrasje karakteriale

Zëdhënësi i Sali Berishës, Alfred Lela, është mërzitur pse në emisionin “Opinion” u shfaq një bisedë e vjetër mes Edi Ramës, Sali Berishës dhe Azem Hajdarit.

Sipas tij, kjo bisedë është shfaqur për të treguar se ata janë futur në politikë nga Ramiz Alia dhe janë njësoj të gjithë.

Por sipas Lelës, Berishën nuk e ka futur në politikë Ramiz Alia, pasi ai e futi në burg.

Shkrimi i Lelës  

Tetorët dhe dhjetorët janë dy muajt e çdo viti, kur në Shqipëri, edhe pse dimër, harliset nga lulet e së keqes pema e një tërbimi politiko-kulturor. Në tetor, të gjithë persekutorët e rinj të Ismail Kadaresë, dalin e gëzohen nëpër rrjete sociale, si xhihadistët pas një akti terrorist, kur shkrimtari, bashkëkombas me ta, nuk laureohet me Nobel në Letërsi. Në dhjetor, njerëz të tjerë, por nga e njëjta racë mitpërmbysësish, thonë se Lëvizja Studentore, që i hapi rrugë pluralizmit, opozitarizmit dhe Partisë Demokratike, nuk solli përmbysje, por ishte ‘pashaportizimi’ që Ramiz Alia i bëri demokracisë.

Nëse rastin e parë kemi të bëjmë me primitivizëm hereditar interneti, në të dytin bëhet fjalë për përllogaritje dhe cinizëm të ftohtë politik. Është përpjekja që, një moment themeltar të opozitarizmit dhe anti-komunzimit në Shqipëri ta infektosh me teori, sipas të cilave pluralizmi shqiptar nuk është më shumë se një vazhdimësi e lejuar dhe kontrolluar… pikërisht nga ata që ishin për 46 vjet kundër të gjitha lirive dhe lejeve!

Kryet e këtij qëllimi u shfaq edhe pas një regjistrimi audio, publikuar nga programi Opinion së fundmi. Një bisedë mes Sali Berishës, Edi Ramës, Azem Hajdarit dhe Sali Shijakut në studion e një piktori në janar 1991, shërbeu si një (re)start i pandehmës kronike se themeluesit e Partisë Demokratike nuk ishin politikanët dhe udhëheqësit e parë të pluralizmit, por delfinët e Ramiz Alisë. Teza, si çdo tezë, mund të jetë e qëndrueshme, por vetëm kur shoqërohet me fakte që u mbivendosen pandehmave. Sidomos dy fakte shkojnë kundër kaq shumë pandehmave: burgosja e Ramiz Alisë, i cili bëri 5 vjet në burgjet e Sali Berishës, dhe ndërprerja e këtij ndëshkimi prej ardhjes në pushtet të PS, e njohur dikur si Partia e Punës. Për dijeni, Alia doli nga burgu pikërisht në 1997-ën, vit që mund të konsiderohet si hakmarrja e komunistëve të vjetër dhe të rinj për Dhjetorin ‘90. Në këtë kuptim, 1997-a e përgënjeshtron ‘demkracinë e negociuar’, një term të përdorur së pari nga Shinasi Rama, huazuar nga Samuel Huntington dhe rimarrë edhe nga Fatbardh Kadilli në Opinion.

Proponentët e tezës se Berisha, Hajdari dhe të tjerët, ishin të dërguarit e Ramiz Alisë, mund ta mbajnë idenë, por duhet të shpjegojnë se pse Ramiz Alia u burgos nga lidershipi i dalë nga Dhjetori, dhe pse në krye të rebelimit të dhunshëm të ‘97-ës u vunë ish-oficerë të ushtrisë dhe të Sigurimit të Shtetit, apo pse Azem Hajdari ishte një target i preferuar i neo-komunistëve?

Teza e Preç Zogajt se Edi Rama në radikalizmin e tij, ishte përfaqësuesi i periferisë së Bllokut që në ‘91 u ngrit, jo kundër regjimit, por një pjese të establishmentit, është më i kthjellët dhe shpjegon edhe faktin se pse sot, në administratën e Ramës gjen, sa të hajë dreqi, pasardhës të nomenklaturës komuniste.

Regjistrimi në studion e Ramadan Karanxhës, u ka dhënë zë edhe disa gojëve që pjesë të aksionit opozito-dëmtues, që mund të mos jetë me këtë qëllim, por në këtë hulli bie, kanë pretendimin se, edhe sot, opozita dhe qeveria gjejnë kanale komunikimi përkundër interesit publik, gjë që u vërtetoka edhe nga ky takim kohëlargët, ku Rama dhe Berisha janë në tonalitete, të paktën jo armiqësore. Ky është vazhdimi i tezës trullosëse se opozita politike është pjesë e establishmentit, dhe është një dëm i madh që i bëhet rezistencës anti-qeveritare në Shqipëri. Bëhet për qëllimin kryesor të mpirjes së rezistencës, dhe kundër saj nuk mjaftoi, me sa duket, as grushti që u tendos fuqishëm mbi Sali Berishën më 6 dhjetor në Tiranë.

Një përpjekje e tillë bëhet për ta vënë poshtë fizikisht opozitën, por edhe për të bërë atë që në politikë quhet ‘character assassination’, pra vrasje karakteriale.

Në fund, Lëvizja e Dhjetorit dhe fronti opozitar që doli prej saj, nuk ishte ngjizja e papërlyeme, por, do-s’do shërbeu si (re)start i një Shqipërie që ishte e plandosur në fund të historisë. Kush xhonglon tezat se, edhe demokracinë, ashtu gjithë defekte, e kemi me leje të atyre që donin leje edhe per vezët e gjalpin, deri në vitin 1991, mund të jetë naiv, por pas gjithë gjasave është diabolik.

Advertisement