Politike
Alibeaj është i bindur: SPAK do të shkojë në majë të politikës, Rama e Berisha në të njëjtën bankë të akuzuarish
Vendimi i mazhorancës për të mos lejuar heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku në seancën parlamentare të 12 marsit ka hapur një debat të fortë politik dhe institucional për raportin e pushtetit me drejtësinë dhe për pasojat që kjo mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në një intervistë ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj e konsideron këtë një moment të rëndë për raportin e politikës me drejtësinë dhe një sinjal alarmi për partnerët europianë.
Alibeaj tha ndër të tjera se seanca e 12 marsit shërbeu si një provë e qartë për të kuptuar raportin real të kryeministrit dhe mazhorancës me drejtësinë ku sipas tij për herë të parë u pa qartë se sa larg është mazhoranca nga parimi i bashkëpunimit me drejtësinë, duke vënë në rrezik edhe një proces strategjik për vendin, sic është integrimi në BE.
Sipas tij, përplasja që po ndodh sot në Shqipëri është një përplasje frontale mes drejtësisë dhe politikës, një proces që ai beson se në fund do të fitohet nga institucionet e drejtësisë.
“Ka një përplasje frontale të drejtësisë me politikën dhe do ta fitojë drejtësia padyshim”, shprehet Alibeaj. Në këtë kontekst ai paralajmëron se hetimet e Prokurorisë së Posaçme nuk do të ndalen tek nivelet e mesme të administratës apo politikës, por do të shkojnë deri në majën e elitës politike shqiptare.
“SPAK do të shkojë tek elita e politikës në majë të saj. Do t’i shohim shpejt ndoshta në të njëjtën bankë të akuzuarish dy aleatët e mëdhenj”, thotë Alibeaj duke nënkuptuar Rama dhe Berisha.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se beteja për drejtësinë në Shqipëri nuk është më një debat teorik, por një proces real që po përplaset drejtpërdrejt me interesat e elitës politike.
Në analizën e tij, vendimi për të mos dorëzuar Ballukun përballë drejtësisë nuk është vetëm një akt politik për mbrojtjen e një zyrtari të rëndësishëm të qeverisë, por edhe një mesazh për drejtësinë dhe për partnerët ndërkombëtarë.
Alibeaj vlerëson se ky veprim mund të prodhojë reagime nga Bashkimi Europian, i cili e ka vendosur luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë si kushte themelore për avancimin e procesit të integrimit.
Sipas tij, instrumentet e Bashkimit Europian për të kushtëzuar politikën shqiptare janë të shumta, duke nisur nga presioni diplomatik e deri te masa më të forta politike sicc mund të jetë edhe pezullimi I lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në vëndet e BE-së.
Në këtë kontekst ai përmend edhe mundësinë që procesi i integrimit të ngadalësohet apo të bllokohet përkohësisht, nëse Shqipëria jep sinjale të qarta të pengimit të drejtësisë.
Në analizën e tij politike, Alibeaj sheh edhe një dimension tjetër të kësaj situate: raportin mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në skenën politike shqiptare.
Sipas tij, ekzistenca e Berishës në krye të opozitës është një nga garancitë që i jep kryeministrit hapësirë politike dhe një lloj komoditeti përballë kritikave.
Ai thekson se në këtë kuptim, akti i mazhorancës për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Ballukut mund të ketë prodhuar edhe një reagim të heshtur pozitiv brenda opozitës së drejtuar nga Berisha.
Alibeaj beson se pavarësisht përplasjeve dhe tensioneve politike, procesi i drejtësisë do të vazhdojë dhe do të ketë ndikim të thellë në transformimin e politikës shqiptare. Sipas tij, vetëm drejtësia mund të çlirojë politikën nga kapja e elitave që kanë dominuar skenën politike për dekada.