Aktualitet
Altin Dumani i përgjigjet Berishës: Nuk e kam kërcënuar prokurorin Prençi për të mos vazhduar hetimet
Altin Dumani rrëzoi plotësisht akuzat e Sali Berishës, i cili është shprehur se kreu i Prokurorisë së Posaçme ka intimiduar prokurorin Dritan Prençin, për të mos vazhduar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në atë të tunelit të Llogarasë.
Në një intervistë në emisionin “Trialog” me Alba Alishanin në RTSH 1, Dumani theksoi se prokurorët e posaçëm janë “Zot” të çështjes së tyre, dhe si rrjedhojë puna e tyre nuk mund të diktohet, devijohet apo manipulohet.
“Nuk i komentoj deklaratat politike, por ajo që theksoj është kjo: prokurorët e posaçëm janë të pavarur, janë zot të çështjes. Si drejtues i SPAK kam ofruar për prokurorin e çështjes, për arsye konkrete, gjithmonë mbështetjen time, solidaritetin tim, sa herë ka qenë e nevojshme ndihma ime. Në rastin konkret asgjë nuk qëndron, nuk është e vërtetë. Prokurori Prenci ka mbështetjen time për këtë çështje dhe të tjerat”,- tha Dumani.
Njoftimin publik që SPAK bëri për të sqaruar arsyen e paraqitjes së vizitës së Ballukut në ambientet e prokurorisë Dumani e cilësoi konform çdo ligji, sa i përket anës proceduriale.
“Sa i takon informimit të publikut lidhur me çështjet që janë në hetim, ne jemi gjithmonë të kujdesshëm, pasi qëllimi kryesor është të ruajmë integritetin e hetimit, të mos e dëmtojmë. Nga ana tjetër, ne marrim në konsideratë edhe të drejtat e subjektit të akuzuar në proces. Njoftimi u bë ditën që subjekti u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, subjekti në fjalë. Ishte njoftim korrekt nga ana procedurale dhe i mjaftueshëm për publikun”,- tha Balluku.