Connect with us

Aktualitet

Andi Bushati: Opozita më mirë të kthehet në OJQ, të pranojnë se nuk e mundin dot Ramën

Andi Bushati ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për aksionin e opozitës, pra tentativën për bllokimin e seancave plenare.

Bushati tha se opozita bën mirë ta pranojë se nuk e mund dot Ramën, oligarkët dhe bandat dhe të ulë pritshmëritë, duke qëndruar si OJQ, për të siguruar të paktën pluralizimin në vend.

“Sjellja është e duhur dhe legjitime por është e dëshpëruar sepse nuk ka zgjidhje. Nëse dëgjon zotin Noka, ai shtroi arsyet pse parlamenti është në flakë dhe i jap të drejtë. Por, kur kërkon të gjesh dritë në fund të tunelit, nuk e gjen.

Këtu ndahet analiza. Ka disa që besojnë se pjesa më e madhe e fajit është e mënyrës si është ndërtuar opozita, sa frymëzon ajo. Unë besoj se edhe këto kanë rëndësinë e tyre, por në një regjim, sado opozitë të kulluar të bësh, është e pamundur të shohësh rezultatin.

Ku ndahem është kjo, këta japin shpresë akoma sikur kanë mundësi ta ndryshojnë apo ta përmbysin regjimin. Them se ambicia opozitare duhet reduktuar. Të pranojnë se nuk kanë çfarë ti bëjnë Ramës, bandave dhe oligarkëve dhe mediave, por të marrin rolin e një OJQ-je që ruan flakën e pluralizmit. Është një shoqëri e kapur për fytin.

Edhe debatet tona janë interesante ti dëgjosh por nuk i japin njerëzve shpresë dhe rrugëzgjidhje”, tha Bushati.

Bushati deklaroi se regjimi mund të përmbyset vetëm kur një mase e madhe e shoqërisë të përballet me të, por në kushtet aktuale kjo nuk është e mundur sepse “shoqëria është e atrofizuar”.

“Vijmë nga një traditë që i thonim njerëzve se fajin e ka Balli Kombëtar se hanin pula. Pra që i shtypuri duhet kritikuar. Nuk kam parë kritika që të thonë, çifutët ishin spurdhjakë që i shkeli Hitleri… Puna është si duhet të sillet shoqëria dhe jo opozita. Thuhet edhe kjo, që kjo opozitë nuk mbledh njerëz. Dakord, edhe unë mund të mos shkoja pas Saliut. Por opozita nuk ka asnjë interes të vetin kur kërkon komision hetimor, për çarterat e Ramës. Në këtë rast, duhet të ngriheshin qytetarët, e do apo jo Saliun dhe Metën, duhet të dilnin te Kryeministria të thoshin “o vlla lekët e mia nuk mund të bëhen karroca fluturuese e Zahos”.

Pra ka një problem shoqëria dhe jo opozita. Ne nuk kemi një media të madhe që të jetë pro opozitës. Berishës i kemi thënë diktator, por e mbylli mandatin me dy TV të mëdha kundër. Ky është problem i Berishës, apo i ka rrëmbyer ai? Rama ishte opozitar në 2013, por financohej nga njerëzit më të pasur të këtij vendi. Sot opozitën, frikësohen milionerët ti permedin emrin. Kemi shoqëri të atrofizuar dhe nuk mund të bëjë më shumë opozita në këtë shoqëri.

Bashën vërtet e sollën këta, edhe “kërpëratat” në listat e opozitës ishin, por nëse historia e Bashës është trysni e njeriut të shantazhuar dhe blerë nga regjimi, ky nuk është më problem i opozitës. Një regjim ble këdo. Nëse Bashën ia kanë blerë është tjetër histori dhe ky nuk është faji i opozitës. Nëse kemi regjim që përdor instrumenta extra-ligjorë, opozita nuk ka ç’të bëjë.

Prandaj them, ore kthehu në OJQ, bëni “gam gam gam” si ne nëpër studio, por mos krijoni iluzionin se ju keni forcën për ta mundur.

Një regjim e hedh e gjithë shoqëria. Kur ti vijë ora shoqërisë, do të përballet me regjimin”, tha Bushati.

Advertisement