Connect with us

Aktualitet

Anijet me 816 ton mbetje toksike, ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit thyen heshtjen

Reagimi i ministrisë:

Disa fakte të thjeshta, për të ndarë qartë lajme toksike nga rrezikshmëria e dyshuar e mallrave.

Prej disa ditësh, burime të caktuara mediatike bëjnë aludime për “mallra të rrezikshme” që kanë dalë nga Shqipëria, ndërkohë që në deklarata politike akuzohet Qeveria për mosveprim në lidhje me raste të dyshuara të transportit të parregullt drejt Tajlandës dhe Kinës të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga proceset teknologjike në Shqipëri dhe Kosovë.
E rëndësishme të ritheksohet se prej momentit të parë të sinjalizimit të këtyre dyshimeve muajin e kaluar, strukturat shtetërore nisën menjëherë një shkëmbim intensiv informacioni si dhe një hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit).

Por pavarësisht se do ishte e udhës të prisnim rezultatet e hetimeve, përkundrejt paudhësisë së atyre që të vetmin instrument mbijetese në tregun mediatik e politik kanë denigrimin e agjencive ligjzbatuese na duhet të reagojmë për opinionin publik, për të vendosur kufirin mes botës reale dhe asaj të fabrikimeve e të akuzave të pandalura.

Mallrat rifuxhio, qofshin këto minerale, metale, skrap apo nënproduktet e tyre, sikundër dhe zonat e prodhimit apo përpunimit të tyre, janë shpesh herë objekt kontrolli të posaçëm nga entet mjedisore, doganore kombëtare dhe ndërkombëtare, për efekt të mbetjeve që lidhen me procesin e përpunimit, dhe vetive ndotëse që këto mund të përmbajnë.

Gjithësesi, duhet bërë e qartë se qoftë Konventa e Bazelit për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre, qoftë aktet rregullatore evropiane apo kombëtare për eksportin, tranzitimin dhe klasifikimin e mbetjeve, nuk ndalojnë kurrësesi transportin dhe eksportin e mallrave që kategorizohen të tilla, por vetëm rregullojnë protokollet dhe procedurat e posaçme të autorizimeve dhe të kontrollit të eksportit të tyre.

Janë pikërisht aktet rregullatore mjedisore dhe doganore ato që përcaktojnë qartë se cilat janë mallrat që kërkojnë autorizime të posaçme për t’u eksportuar.

Në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre.

Nga verifikimet e të dyja proceseve logjistike të mësipërme, si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore.

E njëjta gjë vlen dhe nga pikëpamja e legjislacionit portual dhe të transportit detar: Këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme (IMDG Code) dhe për pasojë nuk mund të aludohet për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare.

Faktet tregojnë se ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet tranzit dhe nga vendet e destinacionit fundor. Më konkretisht rezulton se së fundmi 360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore kineze vetëm në 10 muajt e fundit.

Në çdo rast, konventat ndërkombëtare, parashikojnë se deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme është detyrim i eksportuesit apo importuesit, çka duhet të evidentohet përmes dokumentacionit shoqërues të mallit nga prodhuesi, analizat dhe autorizimet përkatëse. Edhe në këtë rast, janë hetimet e organeve ligjzbatuese, të cilat i mbështesim dhe inkurajojmë plotësisht, ato që do të sqarojnë përgjegjësinë në fjalë.

Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle të rrepta për sa i përket autorizimeve të përpunimit dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse. Për më tepër kjo gatishmëri e infrastrukturave tona kritike është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit, duke e klasifikuar Shqipërinë si një vend të sigurt.

Në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.

Ndaj, në vend që të bëjmë përgjegjëse agjencitë ligjzbatuese për përpjekjet evidente të dy operatorëve ekonomikë, përkatësisht njërit në Shqipëri e tjetrit në Kosovë, për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre, do të ishte e udhës për të gjithë që të prisnim rezultatet e hetimeve dhe analizave përkatëse.

Ndërkohë, sigurojmë opinionin publik se sa më lart është e vërteta e bazuar mbi ligje kombëtare e ndërkombëtare dhe fakte reale, ndërsa të tjerat janë konsum toksik i tregut politik e mediatik.

Advertisement