Connect with us

Politike

Arbitër i paanshëm, zgjedhje të parakohshme/ Abilekaj: SHBA dërgoi sinjal të qartë

Gazetari Enton Abilekaj, cilësoi se qëndrimi i fundit i SHBA-ve ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri shënon një rikthim në rolin e tyre tradicional si arbitër i paanshëm.

Ai theksoi se reagimi i Uashingtonit ndaj këtyre zgjedhjeve, përmes mungesës së përshëndetjes, është ndër më të fortët në dekada dhe se kjo tregon një zhgënjim të qartë ndaj mënyrës se si u administrua procesi. Abilekaj nënvizoi se ky qëndrim është sinjal për të ardhmen politike të vendit dhe për pritshmëritë që kanë aleatët ndërkombëtarë nga klasa politike shqiptare.

Deklarata: Nga një sjellje prej pale të paanshme, SHBA-të tani po sillen si një shtet serioz. Kjo është diçka e papritur për Shqipërinë, sepse SHBA ka qenë gjithmonë një pikë reference për shqiptarët madje më shumë se Bashkimi Europian, Brukseli, Parisi apo Londra për qëndrimet e saj të paanshme dhe rolin e arbitrit të ftohtë.

Historikisht, SHBA-të kanë qenë një arbitër në të cilin shqiptarët kishin shumë besim. Por, kur u vu re se po përfshiheshin si palë e njëanshme në politikën shqiptare, nisi të lindëte dyshimi për qëndrimin e tyre. Kur ambasadori amerikan filloi të merrej edhe me çështje të vogla, si konfliktet e brendshme të partive apo madje edhe brenda vetë partive, autoriteti i SHBA-ve nisi të vihej në dyshim, sidomos nga ata shqiptarë që prisnin një qëndrim të paanshëm.

Rikthimi i SHBA-ve në një qëndrim të balancuar është një lajm shumë i mirë për shqiptarët.

Së dyti, SHBA ka reaguar ashpër në të shkuarën në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Në vitin 1946, reagimi i tyre ishte ekstrem pas zgjedhjeve të diskutueshme, ndërsa në 26 maj 1996 ata kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale, që ishin kryesisht zona të mazhorancës së atëhershme. Ky i tanishmi është reagimi i tretë i rëndësishëm, ku SHBA nuk e ka përshëndetur një proces zgjedhor. Që nga ai vit, nuk ka ndodhur më që SHBA të mos e përshëndesë një proces zgjedhor në Shqipëri.

Tani mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë proces zgjedhor: A do të pranohen rezultatet në heshtje apo do të kërkohet një proces i ri, më i drejtë dhe i ndershëm, në një të ardhme të afërt?

Nuk e dimë ende se çfarë do të ndodhë me këto zgjedhje, që për momentin janë kaluar në heshtje nga SHBA. Duhet të presim dhe të shohim: A do të ketë një projekt të ri për zgjidhjen e situatës, apo do të lejohet që ky mandat të përfundojë ashtu siç është?

Advertisement