Connect with us

Kronike

Ardian Nikulaj darkoi me vrasësit e tij: Si e studiuan autorët shënjestrën

Ardian Nikulaj ka konsumuar darkë me disa nga bashkëpunëtorët e vrasjes së tij.

Në pamjet e siguruara nga gazetarja Brixhilda Deda, duken informatorët që hyjnë në lokalin e biznesmenit të tjerë. Ata hiqen si turistë dhe darkojnë me shënjestren e tyre.

Ndërkohë, në një tjetër video, duket bashkëpunëtori që luan bilardo me djalin e viktimës, ç’ka dëshmon se autorët po e studionin deri në detaje Ardian Nikulajn, para se të vinin në zbatim planin e tyre.
Edmond Haxhia, ishte ai që porositi shtetasit e huaj për të kryer vrasjen e biznesmenit.

Planit nisi para tre muajsh, kur Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.

Pas tij, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira dhe shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, ai lëvizte me të njëjtat rroba dhe me të njëjtin maskim.

Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit duke u fshehur mes dukjes si turistë. Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar daljet. I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili erdhi nga Rinasi më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.

Motori i gjetur pasditen e 27 prillit në Lumin Drin pranë fshatit Kakarriq të Lezhës, po verifikohet dhe ekzaminohet imtësisht, pasi ka dyshime se nuk është i njëjti me atë të përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikuaj, mesditën e 19-prillit në Shëngjin.

Hetuesit po kalojnë në sitë karakteristikat e mjetit të blerë në Tiranë i cili mendohet të jetë përdorur për të kryer krimin, me atë të gjetur në lum 300 metra larg shtëpisë së Edmond Haxhisë, i cili është vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit, në rolin e organizatorit, porositësit dhe financuesit të atentatit.

Motori “Skuter” u gjet nga policia 8 ditë pas ngjarjes në brigjet e Lumit Drin dhe mendohet të jetë hedhur nga autori i dyshuar portugez pas atentatit ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj.

Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë nën akuzë 6 përsona një shqiptar në rolin e organizatorit, 1 portugez si autor i vrasjes dhe 4 shtetas Britanik si bashkëpunëtor në rolet e informatoreve mbi lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj. Katër prej tyre janë vënë në prangat e policisë në Britaninë e Madhe dhe kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre, ndërsa vijojnë të jenë ende në arrati autori portugez i dyshuar për vrasjen dhe 1 prej shtetasve Britanik që ka bashkëpunuar për të kryer krimin e rëndë.

Në përditësim…

Advertisement