Kosova
Arrestohet zyrtari kosovar, ndihmoi shqiptarin në kërkim të merrte pasaportën e Kosovës
Policia e Kosovës ka ndaluar një zyrtar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, pasi dyshohet se ka ndihmuar një shqiptar në kërkim nga Interpoli të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të prokurorisë mësohet se zyrtari D.B kishte detyrën e përgjegjësit për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale si letërnjoftim, patentë shoferi dhe pasaportë në këtë agjenci. Dyshohet se zyrtari ka ndihmuar personin me inicialet M.D, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve.
“Me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.