Connect with us

Kosova

Associated Press raporton për rrengun e rusëve ndaj Kurtit, lajmi përhapet edhe në Washington Post

Agjencia Associated Press ka raportuar për kurthin që dy komedianë rusë i ngritën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndërsa lajmi është shpërndarë edhe nga The Washington Post të mërkurën, duke i dhënë ngjarjes vëmendje ndërkombëtare.

Në raportimin e saj, agjencia britanike e lajmeve theksoi se kryeministri ra pre e mashtrimit të komendianëve rusë – Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov – të njohur për mashtrime të ngjashme ndaj liderëve botërorë dhe figurave të njohura.

Ata e telefonuan kryeministrin në emër të presidentit të Letonisë, Edgar Rinkevics, dhe gjatë bisedës, kreu i ekzekutivit foli për shumë çështje, duke përfshirë marrëdhëniet me Serbinë, ndikimin e Rusisë në rajon dhe përpjekjet për forcimin e sigurisë.

Gjithashtu, pjesë të bisedës përfshijnë edhe komente të papërshtatshme sikurse ato për seksualitetin e ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi që ka qenë kritik ndaj qeverisë së tij, Richard Grenell, dhe për kursin e administratës së re amerikane. Zyra e Kryeministrit e arsyetoi skandalin duke theksuar se në periudhën kur ndodhi mashtrimi, dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ai ishte duke pranuar një numër të madh telefonatash, dhe ishte e pamundur të bëhej verifikimi i plotë i çdo telefonate.

Në disa raste, telefonatat e komedianëve rusë kanë nxitur hetime nga qeveritë, sidomos kur “Vovan dhe Lexus” kanë arritur të mashtrojnë krerë të shteteve, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme me shërbimet intelegjente dhe të sigurisë së Rusisë. Në mesin e emrave të njohur që janë mashtruar nga dyshja ruse janë ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ish-kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ish-skeretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, dhe shumë funksionarë të lartë ndërkombëtarë.

Advertisement