Connect with us

Rajon

Atentat ndaj Abazoviç? Kryeministri i Malit të Zi shpëton për pak

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç është përballur me një situatë të vështirë e cila mund të kishte përfunduar keq, pasi gjatë kohës që ka qenë duke lëvizur me makinë nuk kanë funksionuar frenat.

Autoritetet në Mal të Zi po hetojnë për të zbuluar shkakun e mosfunksionimit të frenave, në mjetin shtetëror me të cilën lëvizte lideri malazez.

Ministria e Punëve të Brendshme, sipas medias Vijesti, njoftoi se ngjarja ka ndodhur më 31 korrik. Pas konstatimit të problemit, makina është arritur të ndalohet në anë të rrugës, e më pas Abazoviç ka përdorur një mjet tjetër nga eskorta që e shoqëronte.

Ata kanë raportuar se nga kontrollet e deritanishme bëhet fjalë për një problem për shkak të vjetërsisë dhe përdorimi i shumtë, por theksuan se po merren parasysh të gjitha skenaret e mundshme.

Ministria bëri të ditur se mjetet zyrtare, të cilat përdoren për sigurimin e personave të mbrojtur, janë nën mbikëqyrjen njëzet e katër orë nga policia.

Ende nuk ka një deklaratë përfundimtare, pasi hetimet vijojnë ende. Njëkohësisht as Dritan Abazoviç nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me incidentin e ndodhur./tch

Advertisement