Connect with us

Kronike

Atentati që përgjaku Shkodrën/ Gjendet i shkrumbuar në fshatin Vukatanë motori i autorëve që vranë 34-vjeçarin

Vrasësit e 34-vjeçarit Kristian Kola, mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, dogjën pas ngjarjes motorin e përdorur në krim në fshatin Vukatanë.

Sipas Tv Klan, ky mjet është gjendur i shkrumbuar tashmë nga policia e këtij qyteti, e cila e ka çuar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës me qëllim përftimin e ndonjë gjurme.

Gjithashtu hetuesit shpresojnë të arrijnë të sigurojnë nr. e shasisë së tij, për të zbuluar më pas mënyrën se si ai ka rënë në duart e vrasësve.

Nga ana tjetër policia dhe prokuroria vijon të analizojë pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja, por edhe përgjatë itinerarit të lëvizjes së autorëve si para dhe pas vrasjes.

Deri në këtë fazë të hetimit, policia ka verifikuar disa pista, si dhe ka shoqëruar dhjetëra persona, por ende pa asnjë rezultat.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dy autorët mund të kenë qenë të paguar për kryerjen e këtij ekzekutimi dhe se për të realizuar vrasjen ata janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë.

Viktima, Kristian Kola, ishte person pa precedent penal, por pavarësisht kësaj, policia dhe prokuroria po hetojnë për të shkuarën e tij, si dhe për ndonjë konflikt të mundshëm të kohëve të fundit.

Advertisement