Lifestyle
Autizmi foshnjor, gjëra që duhet t’i dini
Termi autizëm ka hyrë tashmë në fjalorin e zakonshëm dhe shpeshherë përdoret për fëmijët me sjellje të gjykuara si jonormale; për shembull ata me tendencë për t’u izoluar ose që kanë vështirësi për t’u integruar në botën që na rrethon.
Neuropsikiatri për fëmijë, Leonardo Zoccante, qartëson më shumë rreth këtij shqetësimi.
Autizmi është një gjendje, e cila sot përcaktohet si “spektër autik”, e që përfshin edhe sindromën Asperger dhe mutizmin (heshtjen) selektive, sipas manualit të ri statistikor të çrregullimeve mendore (DSM V) apo manualit të referimit për të gjitha problemet që i përkasin fushës së shëndetit mendor.
Ja atëherë se çfarë është e dobishme të dini për të mos arritur në konkluzione të parakohshme, kur fëmija bën sjellje që mund të gjykohen si “jonormale”.
Më shumë sesa për autizmin, më mirë të flisni për shqetësime të spektrit autik
Në të kaluarën besohej si një fazë foshnjore e psikozës, ndërsa sot dihet se, autizmi është një “çrregullim neurobiologjik”, me karakteristikat e veta dhe një prirje të qëndrueshme, që në ndonjë rast mund të ketë tendencë të përmirësohet me kalimin e kohës. Sepse, autizmi mund të shprehet nëpërmjet niveleve të ndryshme mendore.
Simptomat e mundshme të autizmit
Autizmi karakterizohet nga paaftësia për të bashkëvepruar me botën e jashtme. Manifestohet me mbylljen ndaj të tjerëve, mungesën e mësimit të gjuhës (në 50% të rasteve) ose me komunikimin verbal vend e pavend. Lidhet me tendencën për t’u izoluar në vetvete, me përsëritjen e sjelljeve të veçanta, paaftësinë për të kuptuar ekspresionet dhe sjelljet, të cilat karakterizojnë jetën shoqërore normale dhe afektive (për shembull, përqafimet dhe buzëqeshjet). Simptomat nuk janë të njëjta për të gjithë, por variojnë sipas shkallës së çrregullimit.
Autizmi nuk është në rritje e sipër, por ka më shumë diagnoza
Megjithatë, gjatë viteve të fundit, mes njerëzve është përhapur ideja se autizmi po përhapet shumë. Por në të vërtetë, nuk është e sigurt nëse është pikërisht kështu. Aktualisht, presupozohet se shqetësimi i spektrit autik prek katër – gjashtë fëmijë për një mijë lindje. Për të shkuarën, nuk ka të dhëna të sakta.
Diagnoza e parë duhet të bëhet nga viti i dytë ose i tretë i jetës
Rreth moshës dy vjeç – dy vjeç e gjysmë, ju mund t’u konstatoni fëmijëve diagnozën e parë autike, edhe pse disa sinjale mund të kuptohen edhe më parë. Sigurisht, shqetësimi nuk mund të zhduket papritur pas moshës trevjeçare, nëse më parë nuk është marrë asnjë masë.
Është e kotë të bëni “diagnoza” personale. Më mirë t’i drejtoheni një specialisti
Shenjat e para të autizmit mund të evidentohen që në shtatë muajt e parë të jetës, megjithëse për të dalluar diçka me saktësi, ju duhet të prisni pak kohë derisa fëmija të bëhet më i madh dhe sigurisht të shkoni te specialisti. Këto janë disa nga sinjalet e para të autizmit: fëmija nuk i drejton duart drejt jush për ta mbajtur në krahë; nuk manifeston reagime të veçanta kur nuk ju sheh; reagon shumë pak ndaj tingujve; ka vështirësi për t’iu imituar; është shumë i irrituar.
Sinjalet e mundshme të indiferencës kundrejt mamasë dhe disa lojërave
Një fëmijë i prekur nga spektri autik, mes 12 dhe 24 muajve të parë të jetës së tij tregohet shumë indiferent ndaj nënës së vet: nuk qan kur ajo largohet apo nuk qesh kur i afrohet. Nuk manifeston interes për lojërat dhe nuk kënaqet nëse i këndohen ninulla apo këngë. Kur sheh një objekt, nuk kërkon ndihmën e nënës për ta marrë. Nuk kërkon përfshirjen e të tjerëve nëpër lojëra. Për më tepër, nuk shpreh asnjë fjalë njërrokëshe (“ma”, “ba”, “xha”, “ta”). Nuk i kupton gabimet dhe nuk u bindet rregullave të thjeshta.
Shkaqet e autizmit nuk janë ende të qarta
Për sa u takon shkaqeve të autizmit, ato nuk janë ende të qarta, edhe pse studimet e fundit mbi këtë argument kanë tentuar të hedhin pak dritë. E vetmja gjë që dihet, ka të bëjë me faktin se ai është një lloj çrregullimi që ndodh në tru.