Connect with us

Bota

Avionë ushtarakë rusë e sirianë bombardojnë qytetin e Idlibit në Siri, viktima dhe të plagosur

Aeroplanë ushtarakë rusë dhe sirianë kanë bombarduar nga ajri qytetin e Idlibit në Siri, i cili kontrollohet nga rebelët.

‘Reuters’ bën me dije se banorët kanë deklaruar se, gjatë ditës së dytë të sulmeve ajrore, është goditur një zonë rezidenciale në qendër të Idlibit, qyteti më i madh në enklavën e kontrolluar nga rebelët, pranë kufirit të Sirisë me Turqinë, ku rreth katë milionë njerëz jetojnë në çadra dhe banesa të improvizuara.

Të paktën shtatë persona mbetën të vdekur, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve. Ndërkaq, ushtria siriane dhe Rusia si aleat i saj, deklaruan se shenjestër e bombardimeve ishin vendstrehimet e grupeve kryengritëse, duke mohuar kështu sulme ndaj civilëve.

Ditën e shtunë, avionë ushtarakë rusë dhe sirianë bombarduan disa qytete në provincën e Idlibit, që ka rënë plotësisht në kontrollin e rebelëve pas ofensivës së tyre të fundit, ku kryengritësit arritën të hyjnë edhe në Alepo, qytet në lindje të kësaj province.

Sipas deklaratave të publikuara na mediat shtetërore siriane, presidenti Assad është shprehur se, “terroristët njohin vetëm gjuhën e forcës dhe përmes saj, ne do t’i shtypim ata.”

Sipas ‘Reuters,’ ushtria siriane deklaroi të dielën se kishte rimarrë nën kontroll një sërë qytetesh. Rebelët konsistojnë në një koalicion midis grupeve të armatosura sekulariste me mbështetje turke, dhe Hayat Tahrir al-Sham, një grup islamist, i cili ka dhe forcën ushtarake më të madhe mes kryengritësve.

Hayat Tahrir al-Sham është një organizatë e shpallur si grup terrorist nga SHBA, Rusia, Turqia dhe disa shtete të tjera.

Lufta që ka marrë qindra-mijëra jetë njerëzish në Siri dhe ka zhvendosur me forcë miliona të tjerë, nisi në vitin 2011 dhe nuk ka përfunduar kurrë zyrtarisht. Megjithatë, shumica e luftimeve u ndërprenë tetë vite më parë, kur Irani dhe Rusia ndihmuan Assadin të rimerrte kontrollin e shumicës së territorit dhe të qyteteve kryesore të vendit.

Advertisement