Connect with us

Politike

Balla “tallet” keq me humbjen e opozitës: Pas çdo dështimi të njëpasnjëshëm ju rritet entuziazmi

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, mbajti një deklaratë me tone ironike dhe polemike ndaj opozitës gjatë seancës së sotme në Kuvend, duke ironizuar rezultatet zgjedhore të Partisë Demokratike dhe lidershipin e saj.

Balla u shpreh se opozita “shkon nga dështimi në dështim pa humbur entuziazmin”, duke përmendur edhe thënie të Winston Churchill dhe Albert Einstein për të theksuar qëndrimin e tij. Ai përmendi me humor edhe aleatët e PD-së dhe figurat e reja që i janë bashkuar.

“Në vitin 2025, ju keni marrë më pak vota se në 2021, edhe pse futët çfarë kishte mbetur nga kockat e baba Likes,” tha Balla, duke shtuar se PS ka rritur votat në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013, deri në rezultatin aktual prej 856 mijë votash.

 

 

Duke iu referuar Sali Berishës, Balla tha se ai “turpëron vendin me fyerje dhe deklarata të pavërteta”, ndërsa akuzoi opozitën për shmangie nga përgjegjësia dhe refuzim për të njohur rezultatin zgjedhor

“Dështimi është sukses në progres thoshte Ajnshtajni. Më vjen mirë që kolegët e listave të mbyllura të PD nuk e kanë humbur entuziazmin, më vjen mirë që jeni plot hare, plot qeshje e nënqeshje sepse meqë Flamuri i ka qejf thëniet e mençura dhe që i përdor shpesh, sic thoshte Churchill Flamur, ju jeni ata që shkoni nga dështimi në dështim pa humbur entuziazmin. Dhe kjo është gjë e mirë sepse humori është bekimi më i madh i njerëzimit. Këta shkojnë nga humbja në humbje, por pas cdo humbje u rritet entuziazmi. Është e shëndetshme, të shton dhe jetën dhe shpresoj t’iu shtohet jeta sepse në fund të fundit jemi vëllezër shqiptarë. Ore mos kujtoni se i merrni shqiptarët për budallenj? Mos kujtoni se ata nuk e dinë se në këtë vend Sali Berisha nuk ka fituar asnjëherë zgjedhje. Dhe PS ju ka mundur dhe këtu t’iu kujtoj që ju kemi mundur të paktën me vota, jo në mandate, edhe në vitin 2005 edhe në vitin 2009.

Në këto vite PS ka marrë më shumë vota se PD dhe pastaj nga 2013 ju kemi mundur cdo vit e më thellë. 2013, 2017 shtuam 50 mijë vota dhe në vitin 2021 shtuam edhe 20 e ca mijë vota të tjera për të ardhur në një rezultat historik si ai i këtij viti me 856 mijë vota. Ju problemin nuk e keni me ne, e keni se në 2025-ën keni marrë më pak vota se në vitin 2021, edhe pse futët brenda vetes edhe çfarë kishte mbetur nga kockat e baba Likes, edhe pse futët lloj lloj brenda vetes, edhe gjeniun e ri të futbollit ndërkombëtar Sel Jenishehrin, që ju lutem të na jepni numrin e telefonit që t’ia japim Sylvinhos se mund të na japi ndonjë skemë të paparë për të fituar ndeshjen me Serbinë. Hej Zot. Edhe ua paskemi ne fajin juve. O Flamur, 529 mijë vota ka marrë partia jote bashkë me madhështorët e tjerë. Ku i keni humbur? Ku ju shkuan? E di që i shmangeni analizës suaj të brendshme, strategjia më e mirë për të mos pranuar humbjen është të mos njohësh rezultatin. Prijësi yt e ka bërë këtë historikisht.

Del ai burri atje, unë kam respekt për të moshuarit. Pak më i moshuar se babai im, por merreni e mbylleni në shtëpi se turpëroi shtëpinë e vetë, dhe vendin e vetë me ato fyerje, ato palaçollëqe që thotë kundër Shqipërisë dhe vjen këtu pa pikë thonjëze dhe thotë karteli, narkoshteti”, u shpreh Balla.

Advertisement