Connect with us

Politike

Balliu: Unë e kam treguar me vepra se e djeg mandatin për të mirën e popullit

Tirana e gatshme të hyjë në zgjedhjet e pjesshme që pas shkarkimit të Erion Veliaj si kryebashkiaku i saj, por sa e gatshme është opozita për këtë garë politike, që pas humbjes së 11 majit?

Klevis Balliu, foli për zgjedhjet e ardhshme të Tiranës, si dhe analizoi politikën aktuale nga pikëpamja e tij dhe e forcës politike që ai përfaqëson.

Ashtu sikurse demokratët kanë thënë e më parë, Balliu u shpreh se në vendin tonë ka një ndikim të madh të kriminelëve. Ai tha se këtë deklaratë, e pohon dhe i deleguari i Këshillit të Evropës që mbikëqyri procesin zgjedhor të 11 majit.

“Problemi në Shqipëri është me kartelët. Këtë nuk ua them unë. Këtë e thotë kryetari i eurodeputetëve të deleguar për të vëzhguar procesin zgjedhor në Shqipëri, nga Këshilli i Evropës, edhe e tha këtë në Këshill të Evropës që në Shqipëri rotacionin nuk e lejon mafia”, tha ai.

Më tej, Balliu u shpreh se në kohën e PD-së në qeverisje, Noka, i cili ishte dhe ministër i brendshëm, nuk ka “lejuar” që kriminelët të jenë në “qarkullim”, por i burgoste. Kështu, nga ana tjetër, demokrati akuzoi socialistët se i ka kriminelët “aleatë”, e janë pjesë e Parlamentit në siglën e PS-së.

“Këto janë të pamohueshme. Flamur Noka mund të të pëlqejë, mund të mos pëlqejë. Por, kur Flamur Noka ishte ministër i Brendshëm kriminelët shkonin në burg jo në Parlament. Ky është ndryshimi themelor i Partisë Demokratike me Partinë Socialiste. Ne kriminelët i kemi armikë, këto kriminelët i kanë aleatë”, tha ai.

Por, sipas Balliut, sa më i madh të jetë një skandal lidhur me figurën e një personi që ka detyrë publike, pasuesi i tij merr po aq shumë vota pro. Këtë, demokrati e cilësoi si një “rekord global” të Shqipërisë, teksa përmendi skandalet e Gjicit apo Xhelilit në Durrës. Duke e rikthyer vëmendjen në Tiranë, Balliu tha se e gjithë kjo bashki është në burg, e për këtë arsye, logjikisht opozita fiton.

Advertisement