Connect with us

Politike

Balluku inspekton ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti në Dibër

Ministrja Belinda Balluku vizitoi ditën e sotme banesat e dëmtuara në Dibër nga tërmeti i mbrëmjes së djeshme. Ajo shprehet se do merren masa për secilën nga banesat që janë dëmtuar nga tërmeti dhe se të gjitha grupet së bashku me Institutin e Ndërtimit janë në terren.

‘Kemi pasur një mbledhje të shtabeve të të katërta bashkive tani për të koordinuar punën që me thënë të drejtën, duke nisur nga momenti i mbrëmshëm kanë qenë të gjithë grupet në terren. Tashmë është bashkuar edhe Instituti i i Ndërtimit me tre grupe për të bërë vlerësimin e dëmtimeve që janë bërë nga qytetarët dhe do të merren masa për secilën nga banesat që konsiderohet që është dëmtuar nga tërmeti i fundit.  Numri i ndërtesave të dëmtuara deri tani është i paidentifikuar, ne flasim për ankesat që kanë bërë qytetarët. Mbrëmë kanë qenë 10 këtu në Klos, numri vazhdon e shtohet sepse identifikojnë problematikat që kanë. Duhet të kemi parasysh kemi zona ku ka shtëpi të amortizuara, megjithatë është edhe Instituti i ndërtimit në terren me tre grupe specialistësh për t’i parë se cilat janë dëmtimet që kanë ardhur nga tërmeti.‘- tha Balluku.

E pyetur se si do procedohet me shtëpitë që nuk kanë marrë dëmshpërblimin e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, aty ndërhyri prefekti i Dibrës, ku thotë se në fund të vitit 2022 janë dëmshpërblyer të gjithë banesat e dëmtuara nga dy tërmetet e 2019. Po ashtu edhe në Bulqizë nga tërmeti i 2021 janë dëmshpërblyer të gjithë banorët.

‘Ajo që duhet thënë dhe i bëjmë thirrje çdo qytetari, duhet patur parasysh që dëmshpërblimi që i është dhënë për tërmetin duhet përdorur për të rikonstruktuar shtëpitë dhe jo për përdorim familjar. ‘- tha më tej ministrja.

Një tërmet me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter, goditi mbrëmjen e së dielës Shqipërinë, rreth orës 22.45 minuta. Sipas të dhënave zyrtare epiqendra ka qenë 25 kilometra në verilindje, në zonën e Klosit, në Burrel. Pak minuta më pas u rregjistrua dhe një pasgoditje me magnitudë 4.1. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se janë raportuar dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos, në disa banesa ku ka patur plasaritje të mureve. Gjatë natës janë regjistruar dhe pasgoditje të tjera.

Advertisement