Aktualitet
Banka e Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë të interesit, Sejko: Inflacioni ka vijuar të bjerë
Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.25%. Guvernatori Gent Sejko tha se inflacioni ka vijuar të bjerë, ndërsa aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë aktiviteti ekonomik i vendit , punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërsa inflacioni ka vijuar të bjerë.
Nga analiza e bankës qendrore rezulton se tregjet financiare kanë qenë relativisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje progresive. Situata pritet të jetë e njëjtë edhe në muajt në vazhdim, dhe në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qindore la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun.
“Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare. Paralelisht me të, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti. Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është në kahun e poshtëm për horizontin afatshkurtër dhe neutrale për atë afatmesëm. Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%”, tha ai.
Këshilli Mbikëqyrës thotë se presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin bankës qëndrore për stabilitetin e çmimeve.