Politike
Bardhi: Një Kryeministër i ndershëm nuk bën investitor një trafikant droge
Gazment Bardhi, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar ditën e sotme në një postim në Facebook, mbi sekuestrimin e pronave të të akuzuarit Pëllumb Gjoka. Bardhi thotë se rasti i Gjokës, jep arsyen kryesore që Partisë Demokratike iu refuzua Komisioni Hetimor Për Investitorët Strategjik.
Sipas Bardhi, një Kryeministër i ndershëm, nuk mbështet për tu bërë investitor strategjik një trafikant droge. Ai thotë se shumë shpejt edhe për Kryeministrin Edi Rama do të vijë dita kur do të trokas në dyert e drejtësisë.
STATUSI I GAZMENT BARDHIT
“Sekuestrimi i pronave të disa investitorëve strategjikë e vendos Edi Ramën në pozitën e një kryeministri që ka abuzuar rëndë me pushtetin. Përveç miqësisë me Kryeministrin, qartësisht duket se kriteri mbi të cilin Edi Rama i ka shpallur investitorët strategjikë ka qenë grabitja e pronave publike e private prej tyre!
Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë persona që kanë përfituar pronat në Bregdet përmes fallsifikimit. Një kryeministër i ndershëm nuk mund të shpallë investitorë strategjikë trafikantë droge dhe porositës vrasjesh me pagesë. Tani bëhet krejt e qartë arsyeja përse Edi Rama dhe maxhoranca e tij refuzuan ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Shumë prej tyre nuk kanë të bëjnë me zhvillimin, por me pastrimin e parave nga punët e pista. Me këto para kanë blerë edhe fallsifikimin e pronave, ku kanë ngritur dhe po ngrenë perandorinë e krimit dhe të korrupsionit. Mbi këto vendime, Edi Rama ka vendosur firmën e tij dhe nuk duhet të jetë e largët dita, kur ai do të duhet të përballet me drejtësinë.”