Politike
Bardhi shpërthen në akuza: Mazhoranca i dha kohë Ahmetajt të fshihet
Pas më shumë se 4 orësh debate është shtyrë për ditën e nesërme vendimi për heqjen ose jo të imunitetit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi tha se kjo shtyrje ishte një ndihmë që po i jepet Arben Ametajt me qëllim që të ketë kohë t’i shpëtojë drejtësisë.
Bardhi: Mbledhja filloi me një kërkesë të opozitës që të ishte e hapur, është e vërtetë që ishte sugjerim i SPAK që të zhvillohej me dyer të mbyllura për të ruajtur sekretin hetimor. Duhej të ishte Këshilli që të vendoste, por në mënyrë arbitrare maxhoranca mori vendimin. Diskutimet nga SPAK, asnjë informacion shtesë veç asaj që është publikuar në media.
Për t’i dhënë kohë Ahmetajt, sikundër u konfirmua nga avokatët që ai ishte Jashtë vendit. Ata dinin që nuk është arratisur, por ndërkohë nuk dinin se kur kishte ikur dhe ku ndodhej. Kjo është ndihmë që maxhoranca po i jep Ahmetajt për t’u fshehur nga drejtësia
Ai shtoi se ka kaluar kohë e mjaftueshme që ish-ministri të jetë arratisur.
Sipas Bardhit, që nga dita e kërkesës së SPAK dhe deri sot kanë kaluar 3 ditë, kohë kjo që sipas tij ka qenë e mjaftueshme për arratisjen e Ahmetajt.
Bardhi shtoi më tej se në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Mandateve do dëgjohen pretendimet e avokatëve të Ahmetajt, të cilët kanë kërkuar të shqyrtojnë provat.
Avokatët kanë kërkuar 24 orë të tjera dhe me gjasë autoriteti për arrestimin e Ahmetajt do jepet javën që vjen, vonesë që sipas Bardhit nuk ka ndodhur herë të tjera.