Aktualitet
BE-ja kritikon Serbinë për raportet “normale” me Rusinë
Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të enjten se mbajtja e raporteve normale me Rusinë në kohën e agresionit kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat evropiane dhe procesin e anëtarësimit të Serbisë, pas vizitës së zëvendëskryeministrit serb të sanksionuar nga administrata amerikane, Aleksandër Vulin, në Moskë.
“BE-ja ka qenë e qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, ka theksuar BE-ja në përgjigje, duke shtuar ndër të tjera se “duam që të gjitha shtetet kandidate t’i konsiderojmë si partnere të besueshme evropiane me parime të përbashkëta, vlera, siguri dhe prosperitet”.
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, shteti serb ka vazhduar t’i frustrojë kryeqytetet evropiane dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimor kundër presidentit rus, Vladimir Putin, përkundër se zyrtarisht mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe synon të anëtarësohet në BE.
Aleanca midis Serbisë dhe Rusisë është themeluar mbi një ndjenjë të thellë pakënaqësie ndaj NATO-s për mbështetjen dhe krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Rusia dhe Kina janë dy fuqitë e vetme që përsërisin rregullisht gatishmërinë për t’i ofruar Serbisë “garanci” se Kosova nuk do të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare dhe ulëse në Kombet e Bashkuara (OKB).