Connect with us

Bota

BE konfirmon sistemin e ri të kontrollit kufitar, ja kur do të hyjë në fuqi EES

Sistemi i ri evropian i kontrollit kufitar EES do të jetë funksional nga 12 tetori, pas vonesave të njëpasnjëshme, me qëllim monitorimin e qindra miliona njerëzve që hyjnë në Bashkimin Evropian çdo vit .

Sipas Bloomberg, zbatimi i “Sistemit të Hyrjes/Daljes” do të fillojë gradualisht dhe shtetet anëtare të BE-së do të kenë gjashtë muaj për ta zbatuar plotësisht atë.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, EES do të regjistrojë të dhënat e shtetasve të vendeve të treta që hyjnë në 29 vende evropiane, duke përfshirë të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës.

Kontrolle më të rrepta, procedura më të shpejta

Qëllimi i sistemit të ri është i dyfishtë, nga njëra anë, të përshpejtojë procedurat e hyrjes për ata që udhëtojnë ligjërisht dhe nga ana tjetër, të forcojë sigurinë duke luftuar imigracionin e paligjshëm dhe mashtrimin me identitetin.

Zbatimi i EES fillimisht ishte planifikuar për nëntorin e vitit të kaluar, por u shty pasi disa shtete anëtare nuk ishin teknikisht të gatshme. Përveç kësaj, shumë shoqata të agjentëve të udhëtimit kishin shprehur shqetësime për kaos të mundshëm në aeroporte dhe pika hyrëse nëse masa zbatohej me nxitim.

Komisioni Evropian e përshkroi lançimin e EES si “një hap të rëndësishëm drejt arritjes së një sistemi më të sigurt dhe efikas të menaxhimit të kufijve”.

Advertisement