Connect with us

Politike

Berisha apo Këlliçi, kush gënjen?

Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi, ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nuk ka arritur të hyjë në territorin e SHBA, pasi i është ndaluar hyrja.

Këlliçi, gjatë një interviste për MCN, deklaroi se kjo është arsyeja pse kryebashkiaku nuk ka publikuar asnjë fotografi nga qëndrimi në SHBA edhe pse kishte deklaruar se udhëtoi për arsye pune.

“Le të publikojë një fakt të vetëm, nga një takim i vetëm në SHBA, apo edhe një provë të vetme që ai është lejuar të futet në territorin amerikan. Sepse ka patur shumë informacione, që kreu i bandës 5D nuk është lejuar të futet në SHBA dhe nuk ka shkuar fare në Amerikë. Nuk e di se ku ka qenë kreu i 5D, por informacionet janë që vetëm në SHBA nuk ka qenë”, tha Këlliçi.

Ndërsa ditën e djeshme, në emisionin “Të Paekspozuarit”, Këlliçi deklaroi se Veliaj po kërkon azil në Zvicër dhe po ndihmohet nga Edi Rama me deklarata në favor të tij për ta siguruar atë. Madje Këlliçi pretendon se SPAK nuk po lëshon masë sigurie ndaj Veliajt, pikërisht për ta lejuar që të arratiset.

Kujtojmë se para pak ditësh, kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se Veliaj u arratis në SHBA dhe se nuk do të kthehej, por ky rezultoi një lajm i rremë pasi kryebashkiaku u rikthye në Tiranë.

Tani nuk dihet kush gënjen e kush thotë të vërtetën, pasi Berisha pretendon se Erion Veliaj shkoi në SHBA të arratisej, ndërsa Këlliçi thotë se Veliaj nuk ka qenë fare në SHBA.

Advertisement