Politike
Berisha: Dje përfaqësuat çdo qytetar të këtij vendi që urren këta hajdutë të pamëshirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalimin e përnatshëm deklaroi se, qytetarët në Tiranë treguan se nuk do të pajtohen kurrë me vjedhjen 100 përqind të taksave të tyre. Duke komentuar protestën e së premtes, Berisha theksoi se ata kanë treguar se nuk do të pajtohen kurrë me Erion Veliajn, që i konsideron qytetarët si qenie për t’i vjedhur.
“Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, luftëtarë të lirisë, misionarë të shpresës, besimit dhe dinjitetit, që me protestën tuaj të djeshme tronditët në themele regjimin e kalbur të krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve. Në protestën tuaj të fuqishme dje te bashkia përfaqësuat çdo qytetar të këtij vendi që urren këta hajdutë të pamëshirë që vjedhin ditën, natën e në çdo kohë. Që vjedhin gjer në palcë qytetarët shqiptarë. Pasuritë e tyre kombëtare dhe i shndërrojnë ato në pasuri personale familjare. Misioni juaj është i shenjtë! Beteja pa kthim është beteja e fitores. Dje ju i treguat shqiptarëve, i treguat kombit dhe mbarë Europës se nuk pajtoheni kurrë me vjedhjen 100 përqind si në asnjë vend tjetër të botës të taksave, parave tuaja.
Se nuk pajtoheni kurrë me Erion Veliajn, këtë monstër që e turpëron emrin njeri. Që i konsideron qytetarët shqiptarë, i konsideron kryeqytetasit si qenie për t’u mashtruar. Si qenie për t’u poshtëruar. Që dy-tre vite me radhë flet për pyllin imagjinar 1 milion pemë vetëm se ka vjedhur koston e 1 milion fidanëve. Që dy, tre vite me radhë, tenderat i merr me drejtorët e tij mostra. Paratë e taksapaguesve i kthen në hotele luksoze me 5 yje. Paratë e qytetarëve i kthen në pallate private për veten dhe bandën e tij. Paratë e qytetarëve i dërgon në konto offshore dhe zhduk pa nam dhe nishan mbi 130 milionë euro të paguara nga mundi, djersa e shqiptarëve për djegësin e Tiranës, për të cilin nuk ekziston as gjurmë, as nishan. A ka protestë me të drejtë se kjo? A ka protestë dhe revoltë më të merituar se kjo? Ndaj dhe përshëndes ju dhe të gjithë ata të cilët dje tronditën themelet e këtij pushteti të kalbur,” tha Berisha.