Politike
“Berisha misionar i votës së lirë”/ Shehu sulmon keq Ramën: Kryeministri largohet me lëvizje popullore

Deputeti i PD Tritan Shehu, i ftuar në një emision foli në lidhje me zgjedhjet e 11 Majit.
Shehu tha se qeveria deformoi procesin zgjedhor, duke shtuar se denoncimet e PD do të çjerrin maskën e farsës elektorale të zgjedhjeve.
“Është një komplot kundër demokracisë dhe kundër PD, për ta dëmtuar atë në çfarë do lloj forme. Kemi involvim brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kemi farsë zgjedhore dhe askush nuk mund ta mohojë dot këtë. Maxhoranca deformoi procesin zgjedhor, denoncimet do të çjerrin maskën e farsës elektorale. Unë nuk kam besim tek drejtësia shqiptare. Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të zbehta. SHBA nuk uroi fituesin ai që do jetë kryeministër pra, por u urua populli shqiptar. Edhe jashtë shtetit janë përdorur metodat që janë përdorur në Shqipëri. Procesi është krejt i deformuar në Shqipëri dhe jashtë vendit. Regjimet përmbysen me lëvizje popullore, përmbyset regjimi dhe më pas i hapet rruga votës së lirë. Unë nuk besoj tek dhuna. Rama rrëzohet me lëvizje popullore”, tha Shehu.
Më tej, Shehu tha se Sali Berisha është misionar i votës së lirë. Sipas tij, largimin e Berishës e kërkojnë ata që duan të dobësojnë opozitën shqiptare.
“Është normale që të ketë mendime të ndryshme. Ata që sot kryefjalë vënë Sali Berishën, duan të dobësojnë betejën e tij opozitare. Berisha është misionar për votën e lirë. Largimi i Berishës do ishte dëmtim i madh për opozitën shqiptare. Dua të falënderoj çdo kandidat të PD-së, që ishin në listë të mbyllur apo të hapur. Të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhje kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ne duhet të vazhdojmë që të punojmë. Nëse ka njeri që nuk do BE është Edi Rama, ai do Sulltanatin”, deklaroi Shehu.

