Politike
Berisha shpall fillimin e ‘betejës pa kthim’ në Tiranë, përpara se Kuvendi të japë leje për ‘arrestimin’ e tij
Kreu politik i opozitës shqiptare, Sali Berisha, vetëm pak minuta përpara fillimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet heqja e imunitetit të tij si deputet, ka shpallur atë të cilin e ka etiketuar si fillimin e “betejës pa kthim” në rrugët e Tiranës. “Ky është fillimi i betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, në sheshet e saj, në skajet e vendit”, përshkroi Berisha gjatë një konference për media. Ai shtoi më tej se Partia Demokratike, është e vendosur t’i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë sundimit të kryeministrit Edi Rama, i cili është sipas tij i bazuar në “krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”. “Sot çdo demokrat dhe demokrate i vërtetë ndihet një luftëtare dhe luftëtar i lirisë, i betuar për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre”, përshkroi ai.
Sali Berisha është shprehur se në protestën para Kryesisë së Kuvendit do të jenë një grup modest, por theksoi se do jenë luftëtarët e parë në rrugë. Ai kujtoi edhe trazirat e vitit ’97, duke bërë një paralele me situatën në të cilën ndodhet tani. “Çdo shqiptar duhet të ndalet në një moment, të shtrojë pyetjen: beson ai apo jo se vota e lirë është jetike, që qytetarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që shteti ligjor të funksionojë. Çdo qytetar që i beson votës duhet të shtrojë pyetjen: a ka votë të lirë me Edi Ramën? Çdo qytetar duhet t’i thërrasë vetes, në rast se nuk do të pajtohet me një diktaturë, të ngrihemi. Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie. Ju rikujtoj shqiptarëve se në vitin 1997, kur armiqtë e egër që erdhën me rebelim komunist në pushtet, menduan se na shfarosën, filluam betejën me 30 vetë në oborrin e selisë sonë dhe i mundëm ata në zgjedhjet parlamentare, të cilat i vodhën. Po kësaj here, jetën e japim, votën nuk e japim. Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar të mendojë për veten, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve, për të ardhmen e këtij vendi. Ne jemi në betejë pa kthim”, tha Berisha.