Politike
Berisha thirrje deputetëve: Hidhni poshtë me përçmim dhe neveri…
Sali Berisha i ka bërë thirrje deputetëve që të mos votojnë nismën e qeverisë për amnistinë fiskale ndërsa Edi Rama nuk heq dorë dhe thotë se do ta bëjë me çdo kusht, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve.
“Çdo deputet që merr përsipër të votojë një akt të tillë kriminal, direkt apo indirekt bëhet anëtar i një organizate kriminale që Europa nuk e ka parë ndonjëherë. Ndaj dhe thirrja ime është: për çdo parlamentar, të hedhë poshtë me përçmim dhe neveri, si tepër të rrezikshëm për sigurinë e vendit, për të ardhmen e Shqipërisë, projektin famëzi të amnistisë fiskale të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz”, tha Berisha.
Në një deklaratë për mediat, ish kryeministri Berisha hedh akuza ndaj Ramës për të cilin thotë se me anë të amnistisë fiskale ka synim të mbështesë organizatat kriminale shqiptare.
“Edi Rama u servir shqiptarëve çdo ditë, në qëndrime, vendime dhe ligje, interesat e krimit, mafias dhe të klanit të tij personal. Duke bërë avokatinë e këtyre interesave, Edi Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e tyre. Në kundërshtim flagrant me interesa të çdo qytetari shqiptar, dhe për llogari të klanit të tij mafioz dhe të krimit të organizuar shqiptar, ai sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, çka do të thotë një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.
Çfarë do të thotë, një proces gjigant dhe i paparë ndonjëherë i larjes së parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria. Çka do të thotë fuqizim i madh i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare në rajon, në Europë dhe në botë. Çka do të thotë, injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence, një goditje fatale për biznesin e ndershëm shqiptar”, tha Berisha.