Connect with us

Politike

Berisha: Unë kisha mik presidentin e ShBA-ve, Rama krenohet me McGonigal

“Ne kishim mik presidentin e SHBA., Edi Rama krenohej me McGonigalin” Kështu është shprehur kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fjalimit të mbajtur në protestën e mbrëmjes së sotme.

Berisha u shpreh se qeverisja e PD as nuk mund të krahasohet me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke renditur edhe argumentet dhe skandalet dhe vjedhjet e qeverisë aktuale.

Lideri demokrat u shpreh se pro-europeizmi dhe pro-amerikanizmi i Ramës nuk është gjë tjetër veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, për të mbuluar krimet, për të mbuluar drogën. Sipas Berishës, 20 Shkurti është dita e ndëshkimit të Rilindjes për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë në protestë.

Berisha: Nuk jemi njëlloj. Ne kishim mik presidentin e SHBA. Edi Rama krenohej me McGonigalin, shpallte mik McGonigalin. Nuk jemi njëlloj sepse ne me reforma të thella anëtarësonim Shqipërinë në NATO, Edi Rama organizonte protesta me portretin e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit në NATO. Nuk jemi njëlloj kurrën e kurrës, pasi PD u shndërrua në lokomotivë të vërtetë të proceseve integruese. Pro-europeizmi, pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar. Për Edi Ramën, Rilindjen e tij këto janë thjesht gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet e tij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin, për të mbuluar mjerimin e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga Shqipëria. Nuk jemi njëlloj se ne kurrë nuk menduam ndonjëherë dhe nuk pranuam që të kthenim monizmin në Shqipëri. Nuk pranuam ndonjëherë të lobonim për kontrollin e opozitës apo shkatërrimin e saj. Përkundrazi, bëmë gjithçka të konsolidojmë vlerat e demokracisë. Ndërsa Edi Rama, duke kthyer votën në krim dhe krimin në votë, duke angazhuar paratë e krimit kundër opozitës, mohuar të drejtat kushtetuese në parlament të opozitës, arrestuar liderin e PD, bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. 20 shkurti është dita në të cilën tirani mori ndëshkimin, 20 shkurti është dita në të cilën Edi Rama duhet të marrë mësimin më të madh. Europa pret me padurim fjalën tuaj, fjalën e qytetrarëve shqiptarë. Miqtë e mi, nuk jemi njëlloj sepse Edi Rama dhe fara e tij e keqe e Rilndjes, duke vjedhur, largoi shqiptarët nga Shqipëria më shumë se gjithçka tjetër. Kurse ne, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, bëmë gjithçka për të bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm. Dhe e vërteta është se u larguam nga pushteti në një kohë kur Shqipëria rritej nga viti në vit në popullatë. Në një kohë kur qindra mijëra shqiptarë u kthyen nga emigracioni për të ndërtuar në Shqipëri folenë e të ardhmes së tyre. Nuk jemi njëlloj sepse për ne, beteja me zero tolerancë ndaj krimit, ishte ligji i pandryshueshëm. Një nga një bandat u shpërbënë, bosët e tyre u përballën me ligjin. Edi Rama, i lidhur me krimin, drogën, liroi vrasësit serialë nga burgu. I mblodhi ata ku janë e nuk janë, i shndërroi në investitorë strategjikë. Dhe tani do t’i vërsulë si bisha kundër zonave të mbrojtura, pasurive përrallore të shqiptarëve. Nuk jemi njëlloj sepse ne besojmë të liria, te dinjiteti njerëzor. Besojmë te vota. Te fjala e lirë. Në Rilindje, vota nuk ekziston më. Aty ka vetëm një votë, ka vetëm një zë, ka vetëm një njeri dhe ky është padrinoja Edi Rama.

Nuk jemi njëlloj sepse vërtet gjatë qeverisjes së PD kishte korrupsion, kishte defekte dhe të meta, por nuk kishte kurrë djegësa, sterilizatorë, porti i Durrësit, Butrint, jo, jo, as nuk mund të imagjinoheshin. Miqtë e mi, me 20 shkurt është dita e qytetarëve, është dita e triumfit të qytetarëve, është dita e ndëshkimit të Rilindjes për vjedhjet e tmerrshme që ka bërë. Mos harroni se pro-europeizmi i tyre, pro-amerikanizmi i tyre nuk është gjë tjetër veçse gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet, për të mbuluar krimet, për të mbuluar drogën. Pa diskutim drejtësia kishte defekte dhe të metat e saj. Por më thoni ju mua, cilin amnistoi? Po në qoftë se thoni amnistoi një njeri, çfarë bëri Skapi i partisë që vendos në arrest kreun e opozitës për 410 metër katrorë tokë të trashëguar nga familja e dhëndrit të tij? Asgjë nuk ekziston, një drejtësi sot e kontrolluar nga xhepi, e korruptuar kokë e këmbë. Një drejtësi vegël e verbër në duart e një klike hajdutësh, një organizatë e vërtetë kriminale me Dumanë, Krajë dhe kompani. 20 shkurti është dita e drejtësisë qytetare, është dita e triumfit qytetar, është dita e fitores. Ndaj dhe ju bëj thirrje miqtë e mi, ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, iu bëj thirrje emigracionit, diasporës, në 20 shkurt të vërshojmë në Tiranë. Më 20 shkurt të bashkohemi në Tiranë. Të bashkohemi kundër kësaj tiranie, që ka përmbysur votën, ka përmbysur Kushtetutën, ka përmbysur të drejtat. Shkelmon liritë e qytetarëve, grabit pasuritë, grabit xhepat e qytetarëve, grabit pasuritë publike. Ky është regjimi më i shëmtuar që Shqipëria ka njohur në historinë e vet. Ka njohur diktaturë më të egër, por asgjë nuk e shkretoi këtë vend sa diktatura e bandave të Edi Ramës. Më 20 shkurt të gjithë në shesh, edhe për ata 1 milion shqiptarë që morën rrugët e dheut.
Edhe njëherë, u përshëndes përzemërsisht, ju falënderoj me mirënjohje. Ta shndërrojmë 20 shkurtin në ditën e fitores sonë, ditën e dinjitetit të shqiptarëve, ditën e rivendosjes së pluralizmit, ditën e lebetitjes së banditëve qeveritarë, organizatave kriminale me pushtet, ditën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Advertisement