Politike
Boçi: Rama nuk ka më mbështetje ndërkombëtare, narko-regjimi i tij po rrënohet nga brenda dhe jashtë
Luciano Boçi, argumenton se sinjalet nga Uashingtoni janë bërë gjithnjë e më të qarta dhe publike.
Sipas zotit Boçi, pika e kthesës ishte mungesa e një urimi zyrtar nga pala amerikane për rezultatin e zgjedhjeve, e cila u pasua nga një “kreshendo” kritikash ndaj mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
“Shtetet e Bashkuara e dinë shumë mirë, burimet e tyre janë të pakontestueshme, që në Shqipëri kemi një narko-regjim,” theksoi ai, duke shtuar se kjo qeverisje ka ndërtuar “inxhinieringun e rrëmbimit të zgjedhjeve” për t’u konfirmuar në pushtet.
Kjo, sipas tij, dëshmohet nga arroganca, keqqeverisja dhe mungesa e vëmendjes ndaj qytetarëve, në favor të ruajtjes së pushtetit politik. Boçi u shpreh se ky qëndrim nuk është i izoluar, por mbështetet edhe nga raporte ndërkombëtare si ai i DASH dhe OSBE/ODIHR-it, si dhe nga gjashtë rezoluta të partive të djathta evropiane që e përcaktojnë politikisht regjimin në Shqipëri. Ai vuri në dukje se qëndrimi amerikan është bërë tashmë më konkret dhe po lexohet edhe publikisht, jo vetëm në rrethet diplomatike. Krahas qëndrimit amerikan, nënkryetari i PD-së theksoi se edhe Bashkimi Evropian, që më parë dukej në ngërç, ka nisur të shfaqë qëndrime më të forta dhe kritike ndaj qeverisë Rama.
Sipas tij, realiteti në Shqipëri, ku mungon demokracia, liria e fjalës dhe institucionet e pavarura, bie ndesh me imazhin propagandistik që kryeministri përpiqet të paraqesë jashtë vendit. Në përfundim, Boçi interpreton se mesazhi nga komuniteti ndërkombëtar është i qartë: “Ata që dikur e prisnin krahëhapur, sot i kanë kryqëzuar duart dhe e shohin me dyshim. Gjuha politike i tregon atij se nuk duhet të vazhdojë më. Ai duhet të dorëzojë pushtetin,” vijon ai, duke kërkuar një proces të ri politik ku qytetarët të mund të zgjedhin lirshëm përfaqësuesit e tyre.
Boçi:
Qëndrimi amerikan nuk është një momentum i ardhur vetëm për shkak të situatës së zbuluar, të përshfaqur, kriminale të qeverisë, korrupsionit të saj, bashkëpunimit me krimin, bashkëpunimit me trafiqet ndërkombëtare të narkotrafikut ndërkombëtar. Qëndrimi amerikan është një proces që bazën e inicimit e ka fill pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit dhe nga ai moment mosurimi për fitoren e zgjedhjeve, ka ardhur në kreshendo ndarëse me qeverinë.
Pra, duke e parë qeverinë me syrin e së vërtetës dhe duke shtuar qëndrimet kritike dhe refuzuese ndaj mënyrës së sjelljes së Ramës në raport me ë mënyrën si qeveris, në raport me mënyrën si sillet me politikën, si sillet me parlamentin, dhe tek e fundit si ndërton proceset tërësore të marrëdhënieve që një forcë politike duhet të ketë me ekzekutivin kur është në mazhorancë.
Dhe unë jam i bindur që Shtetet e Bashkuara e dinë shumë mirë, e kanë fare të qartë, burimet e tyre janë të pakontestueshme, që në Shqipëri kemi një narko-regjim i cili e mbështet suksesin politik në korrupsion, në bashkëpunimin me krimin, mbi bazën e të cilit ka ndërtuar edhe inxhinieringun e rrëmbimit të zgjedhjeve dhe nëpërmjet të cilit ai vetë konfirmohet. Dhe këtë e dëshmon keqqeverisja, sepse ka arrogancë, ka mosvëmendje ndaj qytetarit, ka vëmendje vetëm politike ndaj përsëritjes së fatit të vet politik dhe para të cilit nuk kursen asnjë lloj bashkëpunimi.
Bashkëpunim që ka kapërcyer të gjitha nivelet e një politike që duhet të ecë në shinat e demokracisë dhe të mirëqeverisjes. Nuk është vetëm qëndrimi fillestar. Më pas kemi raportet e DASH-it, qëndrimi amerikan është infuzionuar me qëndrimin evropian. Është raporti i OSBE-ODIHR-it, janë rezolutat e partive të djathta, janë gati gjashtë rezoluta, në të cilat jepet përcaktimi politik për regjimin e Ramës dhe që patjetër dijenia dhe aprovimi nga Shtetet e Bashkuara ka qenë i mirënjohur, ose i njohur. Dhe jo më kot ky qëndrim sot ka marrë trajtë më konkrete, një trajtë që nuk lexohet vetëm politikisht, por një trajtë që lexohet edhe publikisht.
Që ndoshta në të ardhmen do lexohet akoma më shumë edhe publikisht nga shumë shtresa të publikut ëh në Shqipëri. Sikurse qëndrimi amerikan është i tillë, mos harrojmë Edvin që dhe qëndrimi evropian, ai që dukesh në fakt në ngërç përgjatë kësaj kohe, ka filluar të përshfaqë dhe ai qëndrimet e forta, ndaluese, parandaluese, kritike ndaj Ramës, që të cilin dikur e priste si, domethënë një njeri që premtonte shumë, që dinte të bënte diplomaci dhe politikë, por duket qartazi që çdo gjë ka qenë e ndërtuar në një realitet tjetër, realitet propagandistik, i spinuar nga Rama, por që në fakt buron nga një realitet që nuk përputhet me atë që Rama paraqet në Evropë, paraqet në dialogje dhe komunikimet e tij, sepse në Shqipëri nuk ka demokraci, nuk ka fjalë të lirë, nuk ka liri politike, nuk ka institucione. Institucionet janë transferuar në zyrat kriminale të privatëve të Edi Ramës dhe nuk ka kujdesje që ky shtet të ketë ato parametra që të jetë i pranueshëm për BE-në.
Sot dyert janë të mbyllura. Këtë është i detyruar ta pranojë edhe Rama ëh, fatkeqësisht si në raport me veten e tij, sepse ishte ai që me këtë premtim kërkoi t’i rrëmbejë edhe zemrat, të themi, shqiptarëve. Në fakt i rrëmbeu votën, jo zemrat, se ato s’ia ka rrëmbyer asnjëherë. Por që sot është para kësaj të vërtete të madhe, që dhe ata që dikur e prisnin krahëhapur, sot i kanë kryqëzuar duart dhe e shohin me dyshim, me skepticizëm, madje e kanë paralajmëruar dhe qartazi në atë gjuhën politike që ka kodet e veta, i tregon që ai nuk duhet të vazhdojë më. Ai duhet të dorëzojë pushtetin, të dorëzojë qeverisjen dhe vendi duhet patjetër të kalojë në një proces politik të drejtë ku qytetarët të zgjedhin të lirë me vullnetin e tyre atë përfaqësim politik që reflekton dëshirën dhe vullnetin e sovranit.