Connect with us

Bota

Borrell nga Libani: E vetmja rrugë drejt paqes është krijimi i një shteti palestinez

Gjatë vizitës në Liban, Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së, duke folur në një konferencë shtypi të mbajtur me kryeministrin libanez, Najib Mikati, tha se donte të fillonte një nismë europiano-arabe për të ringjallur një proces paqeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, me qëllimin përfundimtar të një zgjidhje me dy shtete.

“Rruga e vetme është krijimi i një shteti palestinez”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se perspektiva e një shteti do të ofronte një “horizont shprese” për palestinezët.

Ai tha se do të vizitojë gjithashtu Arabinë Saudite të dielën për të diskutuar hapat për të siguruar paqen në të gjithë rajonin.

Dhe shefi i politikës së jashtme evropiane paralajmëroi të shtunën se është “absolutisht e nevojshme” që Libani të mos përfshihet në një konflikt rajonal si rezultat i luftës së Izraelit në Gaza.

 

 

“Unë po i dërgoj këtë mesazh edhe Izraelit: askush nuk do të fitojë nga një konflikt rajonal”, tha ai, duke shtuar, “Unë mendoj se lufta mund të parandalohet, duhet shmangur dhe diplomacia mund të mbizotërojë”.

Që nga 7 tetori, Hezbollahu i Libanit, i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer zjarre të shpeshta ndërkufitare me forcat izraelite.

Dhe të martën, një sulm në një bastion të Hezbollahut në Bejrut vrau nënkryetarin e Hamasit, Saleh al-Arouri.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë ndërsa një zyrtar amerikan i tha Agence France-Presse se Izraeli qëndronte pas sulmit.

Më herët të shtunën, Hezbollah tha se lëshoi një breshëri raketash në veri të Izraelit si një “përgjigje paraprake” ndaj vrasjes së Arourit.

Advertisement