Connect with us

Bota

Bota po humb durimin me Izraelin

Gjatë më shumë se 18 muajve luftë në Gaza, Izraeli është përballur me kritika të forta nga liderë të huaj dhe organizata humanitare, por rrallëherë ka përjetuar një qortim të vazhdueshëm publik, e aq më pak pasoja konkrete, nga aleatët e tij më të ngushtë.

Në javët e fundit, partnerë si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca janë treguar më të gatshëm të ushtrojnë presion të hapur ndaj Izraelit, duke kulmuar me thirrjen e Presidentit Trump të dielën për t’i dhënë fund luftës.

“Po flasim me Izraelin, dhe duam të shohim nëse mund ta ndalim sa më shpejt këtë situatë,” u tha Trump gazetarëve në Nju Xhersi pak para se të hipte në Air Force One.

Këto komente bien në kontrast me qëndrimin publik që mbajti Trump kur hyri në detyrë në janar, kur fajësonte Hamasin dhe jo Izraelin për vazhdimin e luftës. Ai gjithashtu tregoi kujdes për të paraqitur një qëndrim të bashkuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Ndërhyrja më e fundit e Trump ndodhi pak orë para se qeveria gjermane, zakonisht një mbështetëse e palëkundur e Izraelit, të shprehte një kritikë jashtëzakonisht të fortë ndaj sulmeve të zgjeruara të Izraelit në Gaza. “Ajo që po bën ushtria izraelite në Rripin e Gazës për momentin, sinqerisht nuk e kuptoj cili është qëllimi i shkaktimit të kaq shumë vuajtjesh për popullsinë civile,” tha Friedrich Merz, kancelari i ri i Gjermanisë, gjatë një interviste të transmetuar në televizion të hënën.

Kjo lëvizje nga Gjermania erdhi disa ditë pas një deklarate të ngjashme nga qeveria e djathtë e Italisë, një tjetër aleate e Izraelit që më parë kishte shmangur dënime të forta ndaj Tel Avivit. “Netanyahu duhet të ndalojë bastisjet në Gaza,” tha ministri i jashtëm italian Antonio Tajani në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së tij. “Na nevojitet një armëpushim i menjëhershëm dhe lirimi i pengjeve nga Hamasi, i cili duhet të largohet nga Gaza.” 

Nga ana tjetër, këto komente pasuan një përpjekje të koordinuar nga Britania, Kanadaja dhe Franca për të kritikuar vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionet në Gaza. Në një deklaratë të përbashkët javën e kaluar, tre vendet, të cilat kishin mbështetur gjerësisht të drejtën e Izraelit për t’u përgjigjur ndaj sulmit të Hamasit në tetor 2023, thanë se zgjerimi i ofensivës ishte “plotësisht disproporcional.” Të tre vendet paralajmëruan pasoja konkrete nëse Izraeli nuk ndryshonte kurs.

Britania që atëherë ka pezulluar negociatat tregtare me Izraelin. Ajo gjithashtu vendosi sanksione ndaj ekstremistëve izraelitë që udhëheqin përpjekjet për të dëbuar palestinezët nga toka në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, një nga veprimet më të forta kundër interesave izraelite që nga momenti kur hoqi dorë nga kundërshtimi ndaj urdhrit të arrestit ndaj Netanyahu vitin e kaluar.

Ndërkohë, Franca po organizon një konferencë që do të mbahet në qershor në partneritet me Arabinë Saudite për të diskutuar krijimin e një shteti palestinez, një rezultat që Netanyahu është zotuar ta kundërshtojë.

Megjithatë, të gjitha këto vende, të cilat e kanë dënuar Hamasin për sulmet e 7 tetorit, vazhdojnë ta mbështesin Izraelin në shumë mënyra praktike, përfshirë partneritetet ushtarake, ekonomike dhe të inteligjencës.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i japin Izraelit miliarda dollarë ndihmë ushtarake, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të operacioneve në Gaza. Sekretarja amerikane për sigurinë e brendshme, Kristi Noem, vizitoi Izraelin të dielën dhe të hënën, ku u takua me Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë, dhe mori pjesë në një ceremoni për nder të dy punonjësve të Ambasadës së Izraelit që u vranë në një sulm në Uashington javën e kaluar.

Britania dhe Franca ndihmuan në mbrojtjen e Izraelit vitin e kaluar gjatë një breshërie të madhe raketash balistike nga Irani, dhe gjasat janë se do ta bëjnë sërish.

Për më tepër, këto vende mbeten të kujdesshme dhe herë pas here kritike ndaj disa lëvizjeve të vendeve të tjera kundër Izraelit, përfshirë përpjekjet për ta akuzuar atë për gjenocid.

Por ndryshimi në tonin e mesazheve të tyre, i shoqëruar me disa kufizime praktike ndaj interesave izraelite, tregon se aleatët më të fortë të Izraelit po fillojnë të humbasin durimin me Netanyahun.

Deri tani, Izraeli duket se nuk është lëkundur. Në përgjigje të kërcënimeve europiane, ministri i jashtëm izraelit Gideon Saar tha se vendi i tij do të ndërmarrë “masa të njëanshme” nëse merren hapa të mëtejshëm kundër tij.

Në Gaza, trupat izraelite kanë vazhduar avancimin dhe zyrtarët thonë se ushtria kontrollon tashmë rreth 40 për qind të territorit. Forcat ajrore izraelite vazhduan goditjet të hënën, përfshirë një shkollë e kthyer në strehë që sipas Izraelit përdorej nga militantët.

Dhe ndonëse Izraeli i dha fund një bllokade 80-ditore për ushqimin, duke lejuar pak ndihma të hyjnë në enklavë këto ditë, shumica e kësaj ndihme ende nuk ka arritur te ata që kanë më shumë nevojë, sipas agjencive humanitare. Izraeli po shtyn gjithashtu përpara një përpjekje të debatueshme për të riorganizuar shpërndarjen e ndihmave ushqimore në Gaza, që sipas kritikëve do të përshpejtojë zhvendosjen e popullsisë nga veriu në jug të territorit.

Netanyahu ka mbetur i vendosur, duke akuzuar Britaninë, Kanadanë dhe Francën se “po i japin zemër Hamasit.” 

Në një fjalim javën e kaluar, ai iu drejtua drejtuesve të këtyre vendeve me fjalët: “Jeni në anën e gabuar të njerëzimit dhe në anën e gabuar të historisë.” 

Brenda Izraelit, këto lëvizje janë perceptuar si një hap drejt izolimit diplomatik.

“Pas 593 ditësh lufte, Izraeli ka arritur në një pikë të ulët diplomatike: disa nga miqtë e tij më të rëndësishëm, Britania, Franca dhe Kanadaja, janë ndjerë të lira të publikojnë një deklaratë ku kërcënojnë Izraelin me sanksione nëse nuk ndalon luftën në Gaza,” shkroi Itamar Eichner, korrespondent diplomatik, në të përditshmen qendrore Yediot Ahronotjavën e kaluar.

“Nuk është bërë kurrë më parë një deklaratë e tillë kundër Izraelit, duke e kthyer atë në një shtet të përjashtuar,” shtoi Eichner. “Pjesa më shqetësuese: Shtetet e Bashkuara, që gjithmonë e kanë mbrojtur Izraelin, reaguan me heshtje.” 

The New York Times

Advertisement