Kronike
Britania do dëbojë azilkërkuesit

Azilkërkuesit që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga vendet që konsiderohen ‘të sigurta’ do të deportohen më shpejt sipas planeve të reja qe ka vendosur Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, ndërsa qeveria po përpiqet të menaxhojë kalimet e emigrantëve me gomone në Kanalin e La Manshit.
Braverman tha se do të përpilojë një listë me vende të ‘sigurta’, ku të ardhurit nga vendet e përfshira në këtë listë të mos lejohen të kërkojnë azil.
Sipas prestigjozes ‘The Times’, Braverman po kërkon të imitojë një politikë të kryer nga qeveria e re Laburiste në fillim të viteve 2000, në të cilën ajo trajtonte kërkesat e azilkërkuesve nga vendet e ashtuquajtura “lista e bardhë” brenda 10 ditësh.
Lista përfshin edhe Shqipërinë, nga ku së fundmi ka një rritje të shqiptarëve që shkojnë drejt Britanisë së Madhe. Lista nuk është përdorur kohët e fundit për shkak të sfidave ligjore.
Ajo përfshin të gjitha vendet e BE-së si dhe Shqipërinë, Maqedoninë, Moldavinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Indinë, Mongolinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut dhe një numër vendesh të Amerikës së Jugut.
Kërkesat për azil nga vendet e përfshira do të konsideroheshin ‘të pabazuara’ sipas planeve, përveç nëse ekziston një arsye specifike për pranimin e tyre.
Kjo do të përfshinte persekutimin nga qeveria e tyre dhe jo nga bandat e drogës apo organizatat terroriste.
Shqiptarët përbëjnë 12,000 nga 43,000 njerëz që kanë kaluar kanalin e La Manshit, me varka të vogla deri më tani këtë vit.

