Kosova
Britania e hatërmbetur me Kosovën, akuzon dhe Serbinë: Nxirri para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj KFOR-it dhe në Banjskë

Në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të formojnë sa më parë qeverinë e re, duke e cilësuar këtë si një çështje urgjente për stabilitetin institucional dhe politik të vendit.
Në deklaratën e tij, Holland shprehu gjithashtu shqetësim për tensionet e vazhdueshme në katër komunat veriore të Kosovës dhe për mbylljet e pakoordinuara të institucioneve që ofrojnë shërbime për komunitetet joshumicë.
Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për nevojën e drejtësisë lidhur me sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023, përfshirë incidentin në Banjskë dhe sulmin në kanalin Ibër-Lepenc.
Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të palëve në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke paralajmëruar se moszbatimi i marrëveshjeve dëmton jetën e qytetarëve dhe stabilitetin rajonal.

