Connect with us

Aktualitet

Brukseli sinjal alarmi për ekonominë shqiptare

Një analizë e re me vulë evropiane ka vënë në pah një sërë dobësish strukturore të ekonomisë shqiptare, duke sinjalizuar se rritja e vendit mbetet e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta të brendshme.

Raporti, pjesë e serisë European Economy Institutional Papers, vjen në një moment kur Shqipëria po hyn në faza më intensive të procesit të integrimit.

Edhe pse dokumente të tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian, ato përdoren gjerësisht si bazë për analizë dhe monitorim në institucione të BE-së, çka u jep peshë të konsiderueshme gjetjeve të tyre.

Një nga konstatimet më të qarta lidhet me investimet publike.

Ndërsa qeveria shqiptare ka shpallur prioritete të mëdha në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin rajonal, niveli real i ekzekutimit të investimeve rezulton dukshëm më i ulët sesa planifikimet fillestare.

Vonesat burokratike, procedurat e komplikuara të prokurimit, kapacitetet teknike të kufizuara në institucionet vendore dhe të pashmangshmet probleme të koordinimit ndërinstitucional krijojnë një hendek të dukshëm midis projekteve të shpallura dhe atyre të përfunduara.

Ky fenomen, i cili përsëritet çdo vit, shihet si një barierë serioze për rritjen afatgjatë, duke e penguar Shqipërinë të kapitalizojë mbi potencialin zhvillimor që vetë qeveria synon të ndërtojë.

Analiza nënvizon edhe karakterin e brishtë të modelit aktual të rritjes.

Pavarësisht përmirësimeve në disa sektorë, ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet kryesisht te konsumi i brendshëm dhe remitancat, ndërsa produktiviteti, inovacioni dhe eksportet rriten me ritme të ngadalta.

Struktura ekonomike e vendit përshkruhet si e pambështetur në industri konkurruese ose në sektorë me vlerë të lartë të shtuar.

Ky realitet ushqehet nga mungesa e investimeve të huaja në aktivitete prodhuese, kapacitetet e kufizuara të kapitalit njerëzor dhe trendi i pandalshëm i emigrimit, i cili e varfëron tregun vendas të punës nga aftësitë e kualifikuara.

Raporti trajton me kujdes edhe çështjen e statusit të investitorëve strategjikë, një nga mekanizmat më të debatuar në vitet e fundit.

Sipas analizës, dhënia e privilegjeve të posaçme, përdorimi i procedurave të përshpejtuara dhe alokimi i pasurive të paluajtshme për grupime të caktuara investitorësh krijojnë potencial rreziku për deformim të tregut dhe favorizim selektiv.

Në dokument theksohet se, edhe pse synimi zyrtar është të nxisë projektet e mëdha dhe tërheqjen e kapitalit të huaj, mënyra e zbatimit mund të kufizojë transparencën dhe të krijojë një regjim të veçantë rregullator, i cili nuk u shërben gjithmonë interesave të konkurrencës së ndershme.

Në terma praktikë, kjo përkthehet në pikëpyetje mbi ndikimin real të këtyre projekteve në zhvillimin ekonomik dhe mbi barazinë e mundësive për bizneset e tjera që operojnë në vend.

Në qendër të vlerësimit mbetet edhe qëndrueshmëria e financave publike.

Borxhi publik i Shqipërisë, pavarësisht uljeve modeste në disa vite të fundit, mbetet i lartë për një vend me dimensione dhe struktura të tilla ekonomike.

Raporti shpjegon se hapësira fiskale është e kufizuar, duke e bërë ekonominë vulnerabël ndaj goditjeve të jashtme si krizat energjetike, luhatjet e çmimeve apo uljet e remitancave.

Këtyre u shtohen rreziqet e ndërmarrjeve shtetërore, sidomos në sektorët e energjisë dhe ujësjellësit, të cilat prej vitesh mbeten burim presioni fiskal për shkak të borxheve të akumuluara dhe performancës së dobët.

Raporti i kushton rëndësi të veçantë qeverisjes ekonomike. Mungesa e transparencës, ekzekutimi i mangët i ligjeve dhe sfidat e vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit vazhdojnë të cenojnë klimën e biznesit.

Investimet e huaja direkte, për rrjedhojë, priren të përqendrohen në sektorë me vlerë të ulët të shtuar, si pasuritë e paluajtshme dhe turizmi sezonal, ndërsa aktivitetet prodhuese dhe inovative mbeten nën potencial.

Institucionet evropiane theksojnë se këto probleme të qeverisjes nuk janë thjesht çështje imazhi, por faktorë realë që pengojnë funksionimin e tregut dhe frenojnë zhvillimin.

Nga analiza del qartë se Shqipëria ndodhet përpara nevojës urgjente për reforma të thella strukturore.

Nëse vendi synon të rrisë rezistencën e ekonomisë së tij dhe të përshpejtojë integrimin në tregun e përbashkët evropian, duhet të përmirësojë menaxhimin e investimeve publike, të rishikojë skemën e privilegjeve për investitorët strategjikë, të forcojë disiplinën fiskale dhe të ulë borxhin, si edhe të krijojë një klimë më të besueshme për bizneset.

Përveç kësaj, nxitja e inovacionit, përmirësimi i kapitalit njerëzor dhe mbështetja për sektorët që krijojnë vlerë të shtuar mbeten thelbësore për të ndryshuar trajektoren ekonomike të vendit.

Advertisement