Connect with us

Aktualitet

Bullgaria mohon përfshirjen në marrëveshjen ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Ministri i jashtëm bullgar, Georg Georgiev, ka mohuar se do Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar Deklaratës mbi Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila është nënshkruar më 18 mars në Tiranë. Përgjigja e Georgiev vjen pasi që ministri i dorëhequr i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të deklaratës përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë më 25 mars, por nuk është ftuar zyrtarisht për anëtarësim dhe as nuk është konsultuar në asnjë fazë të nismës”, deklaroi Georgiev.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë formalizuar bashkëpunimin strategjik përmes nënshkrimit të një deklarate trilaterale, që synon forcimin e partneritetit ushtarak dhe industrial të mbrojtjes, duke krijuar një aleancë të re.

Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt, vëren deklarata zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.

Advertisement