Kronike
Burg në mungesë për Rrumin e Shijakut
Pëllumb Muharremi, i njohur me emrin Aleksandër Laho, ose me Nofkën Rrumi i Shijakut, kërkohet nga polica, pasi gjykata e posaçme caktoi këtë të martë, masën e sigurisë Arrest me burg, pasi dyshohet se i forti i Shijakut, është përfshirë në një skemë të mirëfilltë kriminale për falsifikimin dhe regjistrimin e pronave në Gjirin e Lalëzit në Durrës.
Kjo, sipas njoftimit zyrtar të SPAK, është evidentuar me fakte, dhe për këtë arsye, është caktuar edhe masa e sigurisë, arrest shtëpie, për ish përfaqësuesin e Avokaturës së Shtetit, për Durrësit, Irgen Kërçuku.
SPAK, në anën tjetër, ka sekuestruar edhe një sipërfaqe të madhe toke në Lalëz, prej 200 mijë metrash katrorë dhe një tjetër prej 203 mijë metra katrorë në Shetaj, fshat pranë gjirit të Lalëzit.
Gjurmët e para të Rrumit të shijakut, janë për përfshirjen e tij në vitin 2016, në rrahjen e biznesmenit Libanez, Faad Mitri, i cili ndodhej në Shqipëri për të investuar në një kompleks turistik në Lalëz, por krimi e dëboi atë nga Shqipëria.
Një vit më vonë, një videopërgjim që ra në duart e prokurorisë, ishte kur Pëllumb Muharremi i jep rreth 6 milionë lek ish avokatit, Irgen Kërçuku, për të përfituar 45 mijë metra katrorë tokë në Lalëz, dhe çështja të kalonte pa probleme në hipotekë. Megjithatë, ish avokati pretendoi se ishte kërcënuar për ti marrë ato lekë.
Por të gjitha këto prova, ranë në duart e hetuesve, pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, në 1 nëntor të vitit 2019, ku në makinë ndodhej edhe Rrumi i Shijakut. Brenda në automjet, u gjet edhe dosja e prokurorisë që kishte të dhënat për tokat e falsifikuara në gjirin e Lalëzit.
Spak, në vitin 2020, do të niste pikërisht këtë hetim, për pronat e falsifikuara në gjirin e Lalëzit, me nr procedimi penal 235.
Kujtojmë se Rrumi i Shijakut, është shpallur më herët në kërkim, pasi dyshohet se ishte pengmarrësi i dy vëllezërve Beqiri, disa javë më parë në autostradën Durrës-Tiranë.