Connect with us

Rajon

Çanak zbulon kush është tradhtari/ Ushtria e Orban futet në Republika Srpska, ndalon arrestimin e Dodik

Politikani serb Nenad Çanak duke folur mbi situatën më të fundit në Serbi dhe arsyet pse protesta e 15 marsit nuk solli ndonjë zhvillim të madh në dukje, tha se rrëzimi i Aleksander Vuçiçit nuk kishte si të ndodhte, pasi as vetë studentët protestues nuk e kishin kërkuar qartë këtë gjë.

Po ashtu, ai e quajti si propagandë të zgjuar që disa studentë serbë kanë ndërmarrë një udhëtim drejt Strasburgut, ku do të kërkojnë takim me përfaqësues të Bashkimit Europian. Ai tha se protestuesit në Serbi janë kundër BE-së, po ashtu si dhe vetë Vuçiç, dhe ky udhëtim është thjesht propagandistik.

“Është një propagandë e mençur dhe inteligjente por është fakt që për 5-6 muaj protesta, unë nuk kam parë asnjë flamur të vetëm të Bashkimit Europian në protesta. Nga ana tjetër, ka pasur shumë flamuj të Kosovës dhe slogane fashist që kane propozuar ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Dhe kjo për shkak të ndikimit të fortë të inteligjencës ruse në Serbi, e cila po futet mes studentëve dhe po mundohet t’i shtyjë ata drejt një axhende ekspansioniste që shkon në favor të Rusisë, sepse Rusisë i duhet tensioni në Ballkan për të larguar vëmendjen nga Ukraina. I duhet kërkuar Bashkimit Europian më shumë vëmendje, gjë që do të ishte legjitime. Vuçiç është një kundërshtar i anëtarësimit në BE, pasi sipas tij kjo e fundit e ka tradhtuar per Kosoven” – deklaroi Canak

Duke u ndalur te protesta e 15 marsit, ai tha se vetë protestuesit nuk kishin artikuluar qartë dorëheqjen e Vuçiçit, por pavarësisht se në dukje kjo protestë nuk doli sipas pritshmërive të publikut, u arritën disa gjëra, si dorëheqja e kryeministrit, kryetarit të bashkisë së Novi Sadit dhe lëvizje të tjera.

“Pra, diçka ka ndryshuar, por në këtë moment kemi një situatë ku Vuçiç do të përpiqet të ndërtojë një qeveri të re, dhe përmes kësaj qeverie dhe këtij reformimi, ai do të fitojë pak kohë. Mendoj se situata është në ngërç, por studentët janë të vetëdijshëm, bashkë me qytetarët, që nuk ka kthim pas” – potencoi politikani serb….. Nenad Çanak, duke folur ndër të tjerat edhe për marrëveshjen ushtarake mes republikës së Serbisë dhe Hungarisë, tha se këto marrëveshje janë për të nënvizuar akordin mes forcave të armatosura nën urdhrat e diktatorëve.

“Sikurse dihet Viktor Orban është një lider shumë autoritar dhe Aleksander Vuçiç po tregon gjithnjë e më shumë prirje për të bashkëpunuar me të. Për shembull ushtria Hungareze do të jetë e pranishme në Bosnjë, në Republikën Srpska për të shpëtuar Milorad Dodik nëse qeveria federale në Sarajevë përpiqet të arrestojë atë. Ky është një plan, njësoj sikurse ndodhi me kryeministrin maqedonas kur u largua nga vendi pas akuzave për korrupsion. Ndaj këtë e shikoj si një provë tjetër të mëtejshme të asaj se çdo të thotë të forcohesh përmes bashkëpunimit me liderë autoritar të Evropës”,- theksoi Nenad Çanak.

 

Advertisement