Politike
“Çdo zarf i ardhur nesër pas orës 19:00 shpallet i pavlefshëm”/ KQZ del me njoftimin e rëndësishëm

3.7 milionë shqiptarë do të zgjedhin ditën e nesërme përbërjen e parlamentit të ardhshëm. Në këto zgjedhjet për herë të parë kanë mundësi votimi edhe ata që jetojnë jashtë vendit. Konkretisht 245.935 emigrantë shqiptarë do të mund të votojë pa qenë e nevojshme të vijnë në Shqipëri.
Pas regjistrimit në platformën PER, emigrantët kanë marrë me postë zarfin me fletën e votimit të cilën duhet ta kthejnë mbrapsht pasi ta kenë plotësuar. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri sot, në orën 11:20, kanë mbërritur 180 144 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, janë dërguar gjithsej 245 935 zarfe, nga të cilat emigrantët kanë marrë 227 097 prej tyre, ndërsa 18 838 zarfe mbeten ende të pa tërhequra.
Italia ka numrin më të madh të zarfeve të kthyera me 71.180, e ndjekur nga Greqia me 44 315. Sa i përket ndarjes sipas qarqeve, Tirana kryeson me 40.085 zarfe, Fieri me 24.142 dhe Durrësi me 18.973.
KQZ kujton se çdo zarf që mbërrin pas orës 19:00 të datës 11 maj do të shpallet i pavlefshëm. Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë, është vendi ku kryhen tre procese të votimit nga jashtë siç janë: përgatitja e dokumentacionit zgjedhor, ruajtja dhe administrimi i votave nga jashtë deri në momentin e fillimit të numërimit, si dhe numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë.

