Connect with us

Aktualitet

Celularët jashtë klasës, luftë bullizmit: Rregullat e reja për vitin e ri shkollor

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.

I botuar në Fletoren Zyrtare, udhëzimi përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.

Në udhëzim përcaktohet se regjistrimet e nxënësve në Institucionet Arsimore Parauniversitare (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi që përcakton moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Sa i përket shpërndarjes së testeve shkollore, udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.

Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesit e IAP-ve dhe mësuesit duhet të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.

Kërkohet gjithashtu që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.

Po ashtu masat kundër dhunës dhe bullizimit mbeten prioritare, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.

Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit (gusht 2025), planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë.

Theksohet edhe nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë.

Advertisement