Lifestyle
Cila është vija që ndan flirtin e padëmshëm nga tradhtia?
Kur njerëzit flirtojnë, a janë ata duke tradhtuar partnerët? Kjo pyetje ngre shumë debate dhe opinione të ndryshme në kultura të ndryshme. Rasti i fundit i shumë diskutuar është ai i Adam Levine, i cili publikisht pranoi se e “kishte kaluar masën” duke komunikuar me dikë që s’është gruaja e tij në mënyrë paksa flirtuese. Po cila është kjo masë? A është njësoj e pranueshme apo e papranueshme nga të gjithë?
Të gjithë ne, kemi shanse të mëdha që nëse ndërveprojmë fillimisht në mënyrë miqësore, më tej në komunikim të dyshimtë, pastaj flirtues…të arrimë drejt tradhtisë së plotë. Një “çkemi” miqësore është ndryshe nga një “çkemi” flirtuese, një “çkemi” flirtuese është ndryshe nga një mesazh intim dhe në të njëjtën kohë, të gjitha këto janë diçka tjetër nga seksi.
Pra, cila është vija që ndan flirtin e padëmshëm nga tradhtia?
Në fakt, sipas studimeve, njerëzit thuajse në mënyrë universale pranojnë se kontakti fizik ose seksi oral me dikë që s’është partneri i tyre quhet tradhti. Të tjerë bien dakord që çdo lloj aktiviteti tjetër erotik me dikë që s’është partneri edhe nëse s’arrin në seks- quhet tradhti. Një pjesë tjetër është i mendimit se edhe puthja, prekjet intime, shkëmbimet e mesazheve seksuale, etj- është gjithashtu tradhti!
Ajo çfarë ne presim nga partneri ynë gjithsesi mund të jetë ndryshe nga ajo çfarë ne i lejojmë vetes të bëjmë. Për shembull, ka nga ata partnerë që ja lejojnë vetes të përfshihen emocionalisht me dikë përtej partnerit, por nëse e bën këtë pala tjetër e konsiderojnë tradhti. Hipokrizia ndikon shumë tek gjykimi i sjelljes së lejueshme apo të palejueshme. Në secilin rast, duhet të kujtojmë se lidhjet romantike kanë kontekst varësie. Sjellja e njërit prej partnerëve, mendimet, emocionet, etj ndikojnë tek tjetri dhe e kundërta. Prandaj, mënyra sesi ne ndërveprojmë me ata që s’janë partnerët tanë ndikon tek shëndeti i lidhjes dhe kërkon punë dyfish për të rikthyer besimin dhe harmoninë mes jush.