Kosova
Ç’lidhje ke ti moj zonjë/ Grenell: Turp për Osmanin, manipuloi fjalët e Donald Trumpi

Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e akuzuar për “manipulim të fjalëve” të presidentit amerikan, Donald Trump, pas deklaratës së saj për “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, ka parandaluar një sulm të mundshem te Serbisë në Kosovë.
“Turp për Osmanin që manipulon fjalët e presidentit Trump”, ka shkruar Grenell në platformën “X”, duke rikujtuar se Donald Trump ishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për angazhimin e tij në normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.
“Osmani s’ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Dhe të pretendosh sikur ka ndodhur diçka e re është absurde”, ka shtuar ish-emisari për dialogun Prishtinë-Beograd, i cili gjatë administratës së parë të presidentit Trump ka qenë një ndër protagonistët kryesorë në përpjekjet amerikane për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Presidenti Trump ka përmendur Kosovën e Serbinë si shembuj ilustrues të aftësisë së tij për zgjidhjen e konflikteve. Ai ka deklaruar së fundmi se kishte parandaluar një sulm potencial të Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa para kësaj ishte zotuar se do t’i korrigjonte gabimet e paraardhësit i tij, Joe Biden, në procesin e negociatave Kosovë-Serbi.
Ndryshe, deklaratat e fundit të presidentit Trump dhe presidentes Osmani kanë ngjallur reagime, por edhe paqartësi. Ajo që mungon janë detajet konkrete – përfshirë kohën kur, sipas tyre, mund të kishte ndodhur një përshkallëzim i tillë i situatës.

