Connect with us

Kosova

Daçiç: Deklarata e Von der Leyen, për të kënaqur veshët e Prishtinës

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka pretenduar se deklarata e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se Serbia duhet që ta njohë de facto Kosovën, “është bërë për t’i kënaqur veshët Prishtinës”.

“Ai term nuk ekziston në aktet dhe dokumentet e Bashkimit Evropian apo ndonjë tjetër që ka të bëjë me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, kështu që nuk është shkruar askund. Ajo fjalë është përdorur për t’i kënaqur veshët Prishtinës, që të duket, apo tju krijojnë atyre iluzionin se edhe ata morën diçka”, tha Daçiç.

Kreu i diplomacisë serbe theksoi se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë “pafundësisht se çdo njohje e Kosovës – formale apo joformale – është e papranueshme për Beogradin”.

Siç pretendon Daçiç, Bashkimi Europian e vuri “në vijë integritetin dhe besueshmërinë e tij duke e detyruar Beogradin të nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit, e cila ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne dhe që, në parim, ishte e pranueshme vetëm me kusht që të formohej Asociacionin e Komunave me Shumivë Serbe”.

“Nëse nuk ka asociacion, është iluzion të flitet për ndonjë gjë tjetër, pasi ky është thelbi” – pohoi Daçiç, teksa shtoi se “zbatimi i asaj që u nënshkrua 10 vjet më parë në Bruksel është një parakusht për gjithçka që po flitet tani”.

Po çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?  – Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia në Bruksel.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statutin e propozuar nga BE, dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhej aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

 

Advertisement