Politike
Daja i tij kërkoi të bëhej deputet, Shabani i kërkon KQZ-së njohjen e mandatit për Lapajn

Endri Shabani ka reaguar pas deklaratës publike të Zeqir Kordhonit, të afërmit dhe kandidatit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, i cili shprehu shqetësimin se Shabani mund të përfitonte mandatin që i takon Adriatik Lapajt, kandidatit më të votuar në listë. Sipas Kordhonit, një zhvillim i tillë do të dëmtonte imazhin e koalicionit dhe seriozitetin e premtimit për garë me lista të hapura.
Në një letër zyrtare drejtuar KQZ-së, Shabani kërkon shpalljen sa më parë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe njohjen e dorëheqjeve të 46 kandidatëve të listës së mbyllur të dorëzuara që në ditën e zgjedhjeve. Ai thekson se kandidaturat që ishin në listë të mbyllur nuk synojnë të marrin mandat deputeti dhe mandati duhet t’i kalojë kandidatit më të votuar, Adriatik Lapajt.
“Kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet dhe vonesat po hapin rrugë për lojëra politike. 65 mijë qytetarë na kanë dhënë votë të drejtpërdrejtë. Kjo nuk është vetëm një shifër, por një shprehje e vullnetit qytetar,” shkruan Shabani në letrën dërguar kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Shabani kujton se vendimi për të përdorur listën e mbyllur ishte një zgjidhje e detyruar përballë një sistemi zgjedhor që e cilëson si “antidemokratik” dhe nënvizon se kjo është bërë në bashkëpunim të plotë me KQZ-në. Ai paralajmëron se çdo shmangie nga ky proces do të dëmtonte besimin e qytetarëve dhe barazinë në garë.
Letra e Endri Shabanit dërguar KQZ-së:
Datë: 11 Korrik 2025 Lënda: Kërkesë për njohjen e dorëheqjeve të dorëzuara në 11 Maj 2025 Drejtuar: Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, kryetarit Ilirjan Celibashi I nderuar Z. Komisioner, Në emër të Partisë Nisma Thurje dhe Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ju drejtohem për të kërkuar zyrtarisht që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejtë rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe të shpërndajë mandatet sipas vullnetit të zgjedhësve. Kanë kaluar dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe këto vonesa po krijojnë hapësira për lojra politike, të cilat po delegjitimojnë procesin duke u kthyer në telenovelat e verës. Gjithashtu, kërkoj që KQZ-ja të njohë vullnetin e zgjedhësve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ku mbi 54,000 vota u dhanë drejtpërdrejt për kandidatët e listës sonë të hapur. Këto nuk janë thjesht shifra, por një shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre në parlament. Më lejoni t’ju rikujtoj se ky garim me lista të hapura, erdhi në kushtet kur partitë e vjetra u bënë bashkë për të na imponuar një kod zgjedhor anti-demokratik.
Ne e sfiduam këtë përpjekje duke e ccuar ccështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas duke u detyruar të përdornim një artificë, e cila gjithësesi është brenda hapësirës që na jep ligji. Prandaj, për të vendosur një standard demokratik në Shqipëri, do duhet të krijohen kushte kur partitë politike të garojnë me lista të hapura. Dhe për këtë qëllim, kërkoj nga KQZ-ja që të njohë dorëheqjet e dorëzuara me datë 11 Maj 2025 nga 46 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit tonë, të cilët me vullnet të plotë deklaruan se nuk synojnë të marrin mandatin e deputetit. Dua t’ju rikujtoj se veprimet tona janë marrë në bashkërendim të plotë me KQZ-në. Pikërisht për këtë arsye insistojmë që KQZ-ja të veprojë në përputhje me praktikën e mëparshme të tij, ku dorëheqjet e paraqitura janë njohur pa pengesa apo interpretim selektiv. Çdo devijim nga ky standard në rastin tonë do të përbënte jo vetëm shkelje të parimit të barazisë, por do të cënonte besueshmërinë e institucionit.
Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që:
- Të njohë zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listave të mbyllura të paraqitura në
datë 11 Maj 2021, në përputhje me vullnetin e kandidatëve;
- Të vijojë me procedurat për t’i dhënë mandatin kandidatit të renditur i pari në listën e
hapur, në përputhje me ligjin dhe normat demokratike;
- Të mos lejojë asnjë manipulim apo vonesë që do të përbënte mungesë respekti ndaj
65,000 qytetarëve që i besuan koalicionit tonë dhe kandidatëve tanë.
Besojmë se nën drejtimin tuaj, KQZ do të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj për të
mbrojtur procesin demokratik dhe për të mos lejuar asnjë devijim nga vullneti i votuesve.
Me respekt,
Endrit Shabani

