Rajon
DASH pas dënimit të Dodikut: Kundërshtojmë çdo veprim që do të minonte sigurinë e Bosnjës

Departamenti amerikan i Shtetit tha se kundërshton çdo veprim të udhëheqësve lokalë në Bosnjë e Hercegovinë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.
Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi presidentin e entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar për dekada për një Bosnje e Hercegovinë stabile. Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim nga udhëheqësit lokalë që do të minonte sigurinë dhe stabilitetin. Ne mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, shkroi në X, zëdhënësja e DASH-it, Tammy Bruce.
Dodik është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.
Më 26 shkurt, Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë shqiptoi dënimin ndaj Dodikut për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.
Ndërkaq, i akuzuari i dytë në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Llukiq, u lirua nga akuzat.
Ky është vendim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik mund të ankohet.
Dodik është përballur me gjyq nën akuzat se kishte nënshkruar dekrete presidenciale, përmes së cilëve kishte shpallur të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga përfaqësuesi i Lartë.

