Aktualitet
Deportimi historik nga Dubai, Dervishaj e Meçaj shkelën vijën e kuqe, kërcënim për një investitor të huaj
Deportimi historik nga Dubai i Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj drejt dhe në Shqipëri, ka ngjallur kureshtjen dhe të institucioneve ligjzbatuese në vend, të cilat janë informuar për një skenar presioni dhe kërcënimi të një personi të huaj, që rezulton të jetë investitor strategjik në Shqipëri.
SPAK i kishte çuar disa vite më parë kërkesën për ekstradim të Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, por Dubai as që u angazhua ta shqyrtonte këtë çështje, duke lënë të lirë dy protagonistët e botës së krimit.
Dervishaj dhe Meçaj, kanë vijuar për disa vite të qëndrojnë pa u shqetësuar nga askush në Dubai, edhe Plaurenti është përfshirë në disa incidente të vogla.
Por “pushimet” e tyre janë prishur në mënyrë të befasishme kur forcat speciale të Emirateve të Bashkuara Arabe, kanë shkuar dhe i kanë marë në mënyrë të dhunshme në banesë, duke i deportuar në mënyrë të menjëhershme në Shqipëri, ku aktualisht janë izoluar në burg për disa krime të kryera.
Për pak ditë sa kanë qëndruar të izoluar në Dubai Meçaj dhe Dervishaj, s’kanë pasur mundësi të takojnë askënd, përfshirë avokatët e tyre, asnjë mundësi për një telefonatë të vetme, por direkt dhe “pako postare” janë nisur në Aeroportin e Rinasit në Shqipëri.
Ky është precedenti i parë historik, që Dubai deportoi kaq shpejt dy personazhe të botës së krimit që qëndronin prej disa vitesh rezident në këtë shtet.
Diçka e madhe ka lëvizur nën rogoz që autoritet e Dubait të vlerësonin se dy shqiptarët e shpallur në kërkim për një seri krimesh, tashmë kishin shkelur vijën e kuqe dhe për pasojë duhet të deportoheshin.
Të dhënat flasin se Dervishaj dhe Meçaj, dyshohet se përmes disa mesazheve kanë kërcënuar nga Dubai me vrasje zyrtarë të Administratës Portuale në Durrës dhe një investitor të huaj, duke kërkuar përqindje të lartë në një investim që po ndërtohet në këtë zonë.
Situata është agravuar deri në atë shkallë, sa është informuar dhe investitori strategjik, i cili me sa duket as ka pritur një moment të dytë, por ka informuar autoritet në Dubai, se dy personazhe të botës së krimit në Shqipëri por rezidentë në Dubai, ushtronin presion mbi investimin e tij.
Policia Shqiptare beson shumë se të dhënat e paraqitura në Dubai nga ky investitor i huaj, kanë vënë në lëvizje policinë e Dubait e cilat kanë aktivizuar forcat speciale, për të arrestuar Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj dhe brenda pak ditëve ti deportojnë në Tiranë.
Aktualisht Meçaj dhe Dervishaj janë lënë në burg, ku pritet të përballen për një seri akuzash nga vrasja e Klodian Saliut, trafiku i kokainës, shkatërimi i pronës me eksploziv, vrasjen e Andi Malokut, vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit Arjan Ndoja e deri tek sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen e disa personave në Shqipëri. /Oranews