DOSSIER
Dëshmia në hetuesi, e ish-drejtorit të Albimportit: Ja çfarë më tha Feçor Shehu, për eleminimin e Beqir Ballukut
Nga Dashnor Kaloçi
Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij), dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, gjë të cilat Memorie.al., i ka bërë publike (me faksimilet përkatëse), në disa shkrime në numrat e kaluar.
(Vijon nga numrat e kaluar)
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË SAMI MUHAMET PASHAJ, ISH-DREJTOR I “ALB-IMPORTIT”, QË VUANTE DËNIMIN NË REPARTIN 313 TIRANË, NGA HETUESIT E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PELIVAN LUÇI DHE LUAN BEGA
PROÇES – VERBAL (Dëshmije)
Tiranë, më 6 maj, 1983.
Ne, Pelivan Luçi dhe Luan Bega, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, marrim në pyetje me cilësinë e dëshmitarit, Sami Pashajn, i biri i Muhametit dhe Tajares, lindur më 1926, në fshatin Kremenar të Fierit, me arsim të mesëm, i dënuar një herë, vuan dënimin pranë Repartit 313 Tiranë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
Hetuesit më paralajmëruan për përgjegjësinë penale që kam, për dëshmi të rreme, ne bazë të nenin 202 të Kodit Penal.
Dëshmitari
Sami Muhameti
Dëshmitari mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:
Unë Feçor Shehun, përveçse kam pasur lidhje farefisnore, kam pasur edhe shoqëri shumë të ngushtë. Gjatë gjithë kohës që kemi biseduar bashkë, vazhdimisht kemi trajtuar probleme të ndryshme, politiko-shoqërore, ekonomike, ushtarake, etj. Kryesisht periudha që kemi biseduar, ka qenë nga viti 1970, deri në vitin 1974, kohë në të cilën unë kam punuar si drejtor i Ndërmarrjes së Tregtisë së Jashtme, të Albimportit.
Përsa i përket personalitetit dhe karakterit të armikut Feçor Shehu, shpjegoj se ka qenë njeri mendjemadh, karrierist, ambicioz, që i nënvleftësonte të tjerët, në krahasim më aftësitë dhe kulturën e tij, që ishte veçanërisht i pakënaqur me detyrat dhe funksionet që i kishte dhënë Partia dhe Pushteti. Ai mendonte se i duheshin t’i jepeshin funksionet e ndryshme më të mëdha nga sa i kishte dhe për këtë, herë herë nuk përmbahej dhe shpërthente, qoftë duke bërë krahasime, qoftë duke marrë nëpër gojë shokët e tjerë, në pozita të shëndosha.
Bisedat e para me karakter armiqësor nga ana e Feçorit, më janë bërë gjatë vitit 1971. Koha me saktësi nuk më kujtohet, por ka qenë rasti i dënimit të një kryetari kooperative në rrethin e Durrësit. Gjatë procesit gjyqësor, u fol se kishte dalë që armiku Beqir Balluku, kishte marrë herë pas here produkte të ndryshme bujqësore, fruta, perime, etj. Për këtë gjë kam biseduar me Feçorin, duke i thënë se për këtë gjë, duhet informuar Partia, mbasi një njeri me funksion të tillë, siç ishte Beqiri në atë kohë, dilte me emër në një proces gjyqësor.
Feçori mbasi më dëgjoi, më tha se; “s’ka çfarë të duhet për këto punë, nuk merremi ne me gjëra të tilla” dhe më la të kuptoja, se nuk i pëlqente një bisedë e tillë. Në këtë rast, unë pashë një përgjigje që nuk pajtohej me orientimet e Partisë, mbasi për çdo problem, aq më tepër i një rëndësie të tillë, Partia dhe Komiteti Qendror, duhet të informohej për të mbajtur qëndrim, pasi në këtë rast, diskreditohej një kuadër i lartë dhe me përgjegjësi Partie dhe Pushteti.
Siç dihet në vitin 1973, u mbajt plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, ku u dënuan pikëpamjet dhe veprimtaria antiparti e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës. Në bisedat me karakter armiqësor që kam bërë unë dhe armiku Feçor Shehu, ka dalë se ai asnjëherë nuk ka qenë dakord me vendimet e këtij plenumi. Po ashtu edhe unë, i përpunuar gjatë gjithë kohës prej tij, kam qenë dakord dhe nuk kam kundërshtuar mendimet dhe konkluzionet armiqësore të Feçor Shehut. Kështu gjatë bisedave më të, ai është shprehur se pikëpamjet dhe veprimet e armiqve Fadil Paçrami e Todi Lubonja, kanë qenë më se të drejta.
Ata janë dënuar kryesisht për shkak të Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, festival i cili, jo vetëm që nuk kishte asnjë gjë për t’u kritikuar, por përkundrazi, ai solli të renë, progresin e vendit tonë në art dhe kulturë. Vetë skenat, këngët dhe përmbajtja e tyre, treguan se edhe në këtë drejtim ashtu si në të gjitha vendet e tjera të botës, po shkon përpara. Pastaj, vazhdonin bisedat tona, ky Festival, ishte miratuar nga lart dhe kur erdhi puna, fajin u’a hodhën Fadilit dhe Todit! Mbaj mënd një rast, të cilin ja thashë në bisedë Feçorit, se në një aktiv partie të zhvilluar në atë kohë në Tiranë, sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, kishte bërë një diskutim të fortë, ku kritikonte Fadilin dhe Todin.
Feçori, mbasi më dëgjoi, më thotë se; këta vetë e organizuan këtë gjë dhe tani fajin jua lënë të tjerëve. Nga bisedat që kemi bërë së bashku me armikun Feçor Shehu, nga ana e tij janë kundërshtuar masat e marra nga Partia në Plenumin e IV-ët, për edukimin e rinisë Universitare. Një gjë e tillë natyrisht, është pranuar edhe nga ana ime. Në një rast, mbaj mënd se gjatë kohës që shëtisnim të dy në bulevard, ra fjala për masat e marra nga Partia, për edukimin e rinisë universitare. Në bisedë e sipër, Feçori më shprehet se në drejtim të rinisë, nuk duhen marrë masa të atilla, që ta vënë atë nën një disiplinë të fortë, mbasi ajo për vetë natyrën që ka, nuk duhet mbajtur nën tutelë, por i duhet dhënë liri e dorë veprimi.
Një gjë të tillë donin ta bënin Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, të cilët sollën progres në art dhe kulturë, gjë që i pëlqente rinia. Në këto biseda, për të ilustruar mendimet e tij, Feçori bënte krahasime midis rininë në Bashkimin Sovjetik dhe Hungari, ku rinia gëzonte të gjitha liritë e veprimit. Në vazhdim të bisedave armiqësore në drejtim të edukimit të rinisë, një bisedë tjetër ka qenë edhe biseda rreth librit të autorit Ismail Kadare, “Dimri i vetmisë së madhe”, (botimi i parë).
Biseda u bë rreth asaj pjese të romanit, ku autori flet për “rininë e rrugës së Dibrës” (apo “Broduej”, siç shprehej ai). Për këtë Feçori shprehej se; kjo është tamam rinia e vendit tonë, prandaj sa thuhet në libër për këtë rini, janë pasqyrim i vërtetë i realitetit në vendin tonë.
Biseda me karakter armiqësor të kësaj natyre, për të cilat fola edhe më lart, unë kam zhvilluar edhe me Andrea Mançon. Me të unë jam njohur kohë më parë, rreth viteve ’60-të, kur unë jam kthyer nga Polonia. Në atë kohë unë punoja në Eksport-Al, ndërsa Andrea, në Makina-Import. Miqësinë me të e kam forcuar, sidomos kur unë kam shkuar me shërbim në Itali, si përfaqësues tregtar dhe kur kam ardhur në Tiranë në vitin 1970, ku kishim edhe kohë për të biseduar. Si me Feçorin, edhe me Andrea Mançon, kam diskutuar në drejtim të masave të marra nga Partia, kundër elementëve antiparti, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja.
Kështu në këto biseda, Andrea më është shprehur se; Todi Lubonja ka qenë një njeri mjaft i zoti dhe kapacitet në sektorin e tij. Ai ka bërë veçanërisht një kthesë mjaft të madhe në punën e Radio-Televizionit. Në një kohë që bëri një punë të mirë atje, ai dënohet për Festivalin e 11-të në Radio-Televizion, sikur ai të mos ishte aprovuar nga lart! Një bisedë të këtij karakteri, kemi bërë edhe në një rast, kur i pranishëm ishte dhe Feçor Shehu. Kur Andrea u shpreh për padrejtësinë e vendimit të Partisë për goditjen e Todit dhe se atë e mori lapsi kot, Feçori shprehet se; “këtu të merr për kot dhe nganjëherë të merr për plot”!
Veç sa sipër, nga ana ime, biseda me karakter armiqësor, po në drejtim të kundërvënies të masave të marra nga Partia, për dënimin e Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror të Partisë, janë zhvilluar edhe me Asllan Hakën. Siç do të shpjegoj edhe më poshtë, Asllani ishte njeri me qëndrime dhe mendime liberale për jetën. Ai ishte për shijen dhe mënyrën borgjeze të jetës. Në diskutimet me të për Festivalin e 11 të Këngës në Radio-Televizion, ai më është shprehur me entuziazëm dhe simpati të madhe për të, duke më thënë se; “ai është një festival i mirë, i bukur dhe që imitonte ato të Perëndimit”!
Në bisedat me karakter armiqësor që kemi bërë me armikun Feçor Shehu, si ai dhe unë, nuk kemi qenë dakord me masat e marra nga Partia, në drejtim të revolucionarizimit të jetës në Ushtrinë tonë Popullore. Në kohën kur janë marrë këto masa nga Partia, në kohën kur doli Letra e Hapur e Komitetit Qendror të Partisë, unë nuk kam qenë këtu. Në këtë kohë unë isha me shërbim në ambasadën tonë në Itali. Kur jam kthyer në vitin 1970 dhe më pas kemi biseduar vazhdimisht me Feçorin për këtë problem dhe në të gjitha rastet dhe veçanërisht Feçori, shfaqte një pakënaqësi të dukshme për këto masa. Më kujtohet mirë një rast në vitin 1972 apo 1973, kur të dy po shëtisnim buzë Lanës karshi parkut “Rinia”.
Pranë nesh në atë kohë kaluan disa ushtarë, të cilët nuk ishin fort të rregullt nga pamja e jashtme. Ajo nuk është ajo e dikurshmja që kishte disiplinë të fortë. Tani nuk të nderojnë dhe të respektojnë si më parë. Tani ka liberalizëm dhe kjo ka ardhur si pasojë e heqjes së parakohshme të gradave. Ushtria jonë nuk është në rregull, për deri sa i është dhënë e drejta ushtarit të kritikojë oficerin, nuk ka si të kërkojë llogari ushtarëve për zbatimin e rregullave. Për të qenë në rregull ushtria, duhet të ketë një diktaturë të fortë dhe jo demokraci, sepse ajo e dëmton atë.
Në një bisedë tjetër po në këtë kohë, Feçori më është shprehur se heqja e gradave në ushtrinë tonë, është një kopje nga ana e kinezëve. Kjo nuk është e drejtë, pasi në kushtet ku jetojmë neve, janë të ndryshme nga ato të Kinës. Në Kinë, për vetë kushtet e jetës, populli dhe ushtria, binden lehtë, kurse ne jetojmë në Evropë dhe për të pasur një ushtri të fortë, duhet diktatura. Edhe për uniformën e ushtrisë, Feçori në bisedë me të, më ka thënë se edhe ajo është një kopje nga kinezët dhe nuk është e përshtatshme për ushtrinë tonë. Në vazhdim të bisedave me karakter armiqësor për këtë problem, Feçori më është shprehur se; heqja e gradave në ushtri ka sjellë pasoja mjaft negative. Masat e marra nga partia për revolucionarizimin e ushtrisë, veç të tjerave kishin sjellë edhe heqjen e disa privilegjeve në ushtri, për të cilat nuk ishte dakord.
Për këto, Feçori bënte edhe krahasimin me ushtritë në vendet e ish-demokracisë popullore dhe konkretisht me Bashkimin Sovjetik, ku trajtimi i ushtrisë, ishte krejt ndryshe nga neve. “Ja”, thoshte ai; “në Bashkimin Sovjetik, ushtria trajtohet më mirë se çdo pjesë tjetër e popullsisë. Atje vetëm një gjeneral, vetëm rrogën po të marrësh, e ka më të madhe se një ministër, veç privilegjeve të tjera që ka. Kurse në vendin tonë, nuk i kanë këto privilegje”. Në një moment tjetër për të cilin nuk kemi qenë dakord, si unë ashtu dhe Feçori dhe në bisedat tona i jemi kundërvënë orientimeve dhe masave të marra nga Partia, ka qenë edhe goditja e grupit të Beqir Ballukut me shokë.
Feçori ka qenë në dijeni për pikëpamjet antiparti të Beqir Ballukut, që kohë më parë se ai të goditej. Për këto pikëpamje, e kam vënë në dijeni edhe unë. Kështu në një bisedë që unë kam bërë me Beqirin, bisedë në të cilën ai foli haptazi kundër vijës së Partisë në lidhje më ushtrinë dhe taktikën që do të ndiqej nga ushtria jonë në kohë lufte, i kam thënë që në atë kohë, edhe Feçorit. Ky rast me sa më kujtohet, ka ndodhur rreth vitit 1970. Një ditë unë me time shoqe, Beharen, kam shkuar për vizitë tek Beqiri, në shtëpinë e tij. Aty kam gjetur Beqirin, të vëllanë e Beqirit, Qemalin, si dhe të gruan e tij. Ne burrat qëndruam duke biseduar në bahçe, kurse gratë u futën brenda.
Në bisedë e sipër, ra fjala për mbrojtjen e vendit. Unë, meqenëse më kishte bërë përshtypje, i kam thënë Beqirit, se kam parë në disa vende që janë bërë strehime dhe qendra zjarri shumë të dobëta, aq sa edhe pushka është në gjendje që t’i shpojë dhe jo më, armët e rënda! Beqiri, mbasi më dëgjojë, më tha se; “neve këto i bëjmë kot, se në rast se ne do të sulmohemi, ne duhet që të tërhiqemi në male dhe fshat e qytetet do t’i lëmë, me qëllim që ta tërheqim armikun në male dhe aty ta thyejmë”. Unë, kur Beqiri më tha kështu, i pyeta se; “çfarë do të bëjmë ne në male, se atje vetëm lëndë dushku ka, çfarë do të hamë”?!
Beqiri më tha se për këtë punë kemi marrë masa, ushtrinë e kemi të armatosur, në male kemi ngritur ferma dhe ekonomi ndihmuese, që do të na furnizojnë. Ai, për të treguar pikëpamjet e tij në këtë drejtim, më tregoi se kishte marra masa e dhënë udhëzime që të ngriheshin ekonomi ndihmëse në Lurë, Gramoz e Tepelenë, etj., që do të shërbenin për furnizime gjatë luftës. Unë përsëri, duke mos pasur bindje për sa tha Beqiri, i thashë se sikur nuk më mbushte mëndja për një gjë të tillë. Beqiri në përgjigje më tha se ne kemi strategji, por kemi dhe taktikë dhe taktika, më mirë është që të tërhiqemi në male, ta afrojmë atje armikun, dhe pastaj ta thyejmë. Pas kësaj bisede, si ndenjëm edhe pak, unë dhe gruaja u larguam.
Si kaloi një apo dy ditë, unë jam takuar me Feçorin dhe në bisedë e sipër i tregova se çfarë kisha biseduar me Beqirin. Unë i shpreha atij habinë time, për sa më kishte thënë Beqiri, bile i thashë që unë e dija se Partia na udhëzon se në rast lufte, ne nuk duhet që të lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë, e jo më, të lëmë të gjithë territorin, përveç maleve! Feçori mbasi më dëgjoi, më tha lëre më mirë këtë muhabet, se e di Beqiri më mirë këtë punë. Më kujtohet tani se kjo bisedë është bërë në kohën që Beqiri ka martuar gocën, Dritën. Mbas kësaj, në kohën kur Partia kishte zbuluar dhe goditur veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut etj., m’u kujtua kjo bisedë që kisha bërë dhe ja kujtova Feçorit, mirëpo ai nuk ma zgjati dhe i shqetësuar tha; lëre tani këtë dhe mos bëj muhabete të tilla!
Në të gjitha rastet kur kam biseduar me Feçorin për problemin e Beqirit, para goditjes së tij, më thoshte se ai është njeri shumë kompetent, ushtarak me kapacitet, masovik dhe shumë modest. Ai mundohej ta ngrinte në qiell, figurën e Beqirit. Në një bisede tjetër po për këtë çështje me Feçorin, mbas zbulimit të veprimtarisë armiqësore te Beqir Ballukut, ai më është shprehur kundër masave që mori Partia, për demaskimin e tij. Ka qenë muaji nëntor i vitit 1974, kur unë duhet të shpjegohesha në organizatën bazë të partisë, ku më ishte ngritur problemi i marrëdhënieve që unë kisha pasur me Beqir Ballukun, shpjegime për të cilat do të flas hollësisht më vonë, ashtu siç kam folur edhe në proceset e mëparshme.
Në bisedë e sipër, me qëllim që të më jepte të kuptoja, se nuk ishte vetëm unë që do të jepja llogari për problemin e Beqirit, ai më thotë: “lëre se nuk je vetëm ti në këtë gjendje. Ja, në fillim këta të Komitetit Qendror (ai e kishte fjalën për udhëheqësin kryesor të Partisë), thanë se nuk do t’i japim asnjë majë gishti të marrë me vete Beqiri, kurse tani duan ta zgjerojnë rrethin e njerëzve, e nuk po ja lënë vetëm Beqirit fajin. Ja, vazhdoi ai, tani dolën edhe Petrit Dumja dhe Hito Çako, bile Hitoja, në një mbledhje ku i është kërkuar llogari rreth materialit që u quajt; “materiali i zi”, ky tha se ky material është aprovuar edhe nga Komiteti Qendror dhe se çdo gjë, e kemi bërë me aprovimin dhe dijeninë e Partisë.
Dhe një gjë e tillë, është e vërtetë tha Feçori, sepse këto dokumente u gjetën edhe në kasafortën e Dilaver Poçit në Komitetin Qendror. Në vazhdim të bisedës, ai vazhdonte të më argumentonte mendimin se një gjë e tillë qëndronte kështu dhe përderisa ishte kështu, atëhere çfarë u kërkohej këtyre të tjerëve, kur një gjë e tillë duhej nga Partia dhe Komiteti Qendror?! Më kujtohet një rast tjetër i cili konfirmon më së miri qëndrimin armiqësor dhe kundër Partisë të Feçorit, në lidhje me dënimin e Beqir Ballukut.
Me sa mbaj mënd, ka qenë gushti i vitit 1974 dhe unë e Feçori ishim me pushime në plazhin e Durrësit, në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në shëtitje e sipër gjatë bregut të detit bashkë me Feçorin, e kam pyetur atë se çfarë kishte bërë Beqiri që e hoqën! Në përgjigje të pyetjes sime, ai më thotë se: “Beqiri nuk ka ndonjë gjë, por për shkak se në vend ka vështirësi ekonomike dhe politike, u desh një kurban për të justifikuar ato dhe për këtë gjë u gjet Beqiri”. Gjatë këtyre bisedave unë bindesha plotësisht, se Feçori, jo vetëm që nuk ishte dakord me goditjen e Beqirit, por se e quante atë viktimë!
Sa thashë janë të vërteta dhe pasi e lexoj, e firmos.
Dëshmitari Hetuesit
Sami Muhametaj Luan Begaj, Pelivan Luçi