Kosova
Dështimi i bisedimeve…trupat amerikane në kufi
Dështimi i bisedimeve Vuçiç-Kurti, trupat amerikane në kufi
Trupat amerikane dhe ato të NATO-s, pjesë të KFOR-it, janë dislokuar në rrugët kryesore të veriut të Kosovës.
Tensioni është rritur pas dështimit të bisedimeve në Bruksel mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Dy liderët nuk kanë arritur një marrëveshje për çështjet e kufijve dhe njohjen reciproke, gjë që prej vitesh e bëjnë situatën në Ballkan të paqëndrueshme.
Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, deklaroi në mënyrë lakonike pas takimit të para dy ditëve: Sot nuk ka asnjë marrëveshje – dhe shtoi se Kurti dhe Vuçiç megjithatë ranë dakord për diskutime të mëtejshme, në ditët në vijim.
Ndërkohë në qytetin kufitar të Mitrovicës, i ndarë përgjysmë, tension është veçanërisht i lartë. Shumë këtu kanë frikë se dështimi i negociatave politike midis dy vendeve – që synojnë zgjidhjen e një ngërçi 20-vjeçar – mund të çojë në një formë të konfliktit lokal midis kosovarëve dhe serbëve.
Beogradi gjithmonë ka refuzuar të njohë shpalljen e pavarësisë së vitit 2008.Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës u rishpërthyen në korrik, kur qeveria e Kurtit deklaroi se dokumentet serbe të identitetit dhe targat e automjeteve nuk do të ishin më të vlefshme në territorin e Kosovës.
Minoriteti serb, i cili kryesisht jeton në veri të Kosovës, reagoi me zemërim ndaj propozimit, duke ngritur postblloqe dhe duke gjuajtur armë në ajër dhe në drejtim të policëve të Kosovës.
Serbia, si kundërpërgjigje, ka zbatuar të njëjtat masa për qytetarët kosovarë që hyjnë në Serbi.