Bota
Dështojnë negociatat me Hamasin? I dërguari i SHBA-së në Tel Aviv jep lajmin e trishtë

Një takim i tensionuar dhe emocional është zhvilluar në Tel Aviv mes të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe familjarëve të pengjeve izraelite që mbahen ende nga Hamasi në Rripin e Gazës.
“Do të doja të kisha lajme për ju, por situata është e ndërlikuar. Ka shumë arsye që nuk mund t’i shpjegoj. Hamasi është një organizatë terroriste,” deklaroi Witkoff para familjarëve, duke theksuar vështirësitë e mëdha që po shoqërojnë përpjekjet diplomatike për kthimin e pengjeve.
Sipas tij, negociatat me Hamasin kanë qenë “jashtëzakonisht frustruese”, pasi pala palestineze “nuk po mban fjalën e dhënë”.
Witkoff u shpreh se prioriteti aktual i SHBA-së është jo zgjerimi i luftës, por përfundimi i saj, duke theksuar se përpjekjet diplomatike duhet të përqendrohen në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton lirimin e të gjithë pengjeve dhe sjell një fund të qëndrueshëm të konfliktit.
“Shumica e izraelitëve duan që pengjet të kthehen në shtëpi dhe shumica e popullsisë së Gazës dëshiron të njëjtën gjë, sepse kjo do të hapte rrugën për rehabilitimin e Rripit të Gazës,” tha ai.
Takimi, që zgjati rreth tre orë, u përshkrua si i ngarkuar emocionalisht nga Forumi i Familjeve të Pengjeve, ndërsa mediat izraelite raportuan se pjesëmarrësit kërkuan më shumë qartësi dhe vendosmëri në qëndrimin ndërkombëtar ndaj Hamasit.

