Connect with us

Aktualitet

Dhunuan me shkopinj bejsbolli fisin Maja, fisi Rraja del sot para gjykatës

Ditën e sotme, në orën 11:00 do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë 4 nga të arrestuarit e fisit Rraja për dhunën ndaj dy kushërinjve të fisit Maja në Fushë-Krujë.

Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, ishin të parët që u ndaluan nga policia më datë 07 korrik, për veprat penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, ‘Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit’, ‘Moskallëzimi i krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’.

Pas tyre, të shtunën policia shoqëroi edhe 4 persona të tjerë që u identifikuan nga pamjet filmike si të përfshirë në aktet e dhunës. Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe 6 persona të tjerë.

Në kërkim janë Xhelal Rraja, Rexhep Rraja, përkatësisht vëllai dhe djali i deputetit Rrahman Rraja që akuzohem nga policia si organizator, Flamur Rraja gjithashtu vëllai i deputetit socialist të dorëhequr, Klajdi Rraja.

Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta dhe Përparim Rraja, duke e çuar në 6 numrin e personave të shpallur në kërkim.

Këta persona kanë goditur me sende të forta dhe kërcënuar me armë shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, mbi një konflikt të nisur për dëmet që pretendonin dy viktimat e sulmit që ishin bërë nga punimet e gurores së vëllezërve Rraja në fshatin Borizanë.

Advertisement